Tre persona janë arrestuar në Durrës për ushtrimin e paligjshëm të lojërave të fatit.
Personat e arrestuar janë shtetasit Muhittim Omerolu, Robert Cristian, dhe Sergo Solnstev, të tre banues në Durrës, të cilët janë administratorë të një ambienti i cili ishte përshtatur për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit.
Në këtë ambient u sekuestruan nga policia 4 ruleta, 4 tavolina pokeri dhe 93 aparate elektronike që përdoren për zhvillimin e lojërave të fatit.
Në kërkim u shpall edhe një grua, shtetasja Rovena Zahiri, e cila kishte marrë me qira ambientin ku zhvillohej ky aktivitet.
NJOFTIMI I POLICISË
Goditet një tjetër rast i ushtrimit të veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.
Vihen në pranga 3 shtetas. Sekuestrohen ruleta, tavolina dhe aparate elektronike që përdoren për zhvillimin e lojërave të fatit.
Në vijim të operacionit “Fati i lojërave”, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se në një ambient të marrë me qira nga një shtetase, në lagjen nr.13, Durrës, po ushtrohej veprimtaria e kundërligjshme e lojërave të fatit, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës, kanë organizuar punën dhe si rezultat kanë bërë të mundur evidentimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie të paligjshme.
Si rezultat u bë arrestmi në flagrancë i shtetasve: M. O., 48 vjeç, R. C., 33 vjeç dhe S. S., 38 vjeç, të tre banues në Durrës.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetases R. Z., e cila kishte marrë me qira ambientin ku zhvilloheshin lojërat e fatit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 93 aparate elektronike që shërbenin për lojërat e fatit, 4 tavolina dhe 4 ruleta.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.