Pas vendimit për përjashtimin e tij nga PD-ja, deputeti Edmond Spaho ka reaguar duke e konsideruar të pavlefshëm vendimin e Kryesisë.
Kjo sepse sipas Spahos, ajo Kryesi nuk ekziston. Ai kujton se në Kuvendin e 11 dhjetorit mbi 4 mijë delegatë kanë shkarkuar kreun e PD-së, Lulzim Basha e po ashtu edhe Kryesinë.
“Vendimi është i pavlefshëm pasi ajo kryesi nuk ekziston. Nuk ka ekzistuar as me statutin e miratuar në korrik,pasi nuk u respektuan kriteret statutore të zgjedhjes pasi 60% e saj u emërua nga Basha.
Së dyti në Kuvendin e 11 dhjetorit mbi 4 mijë delegatë kanë shkarkuar Bashën dhe kryesinë dhe po ashtu 44 mijë anëtarë kanë shkarkuar Bashën.”– shkruan Spaho.
Ai shton se masat e marra një ditë më parë nga Basha synojnë largimin e vëmendjes nga problemi kryesor që kanë demokratët sot. Spaho shton se protesta e 8 Janarit tregoi se bashkëpunimin e Bashës me kryeministrin Edi Rama.
“Masat e marra dje kanë synim të largojnë vëmendjen nga problemi themelor që kanë demokratët, të cilët në 8 janar Basha i sulmoi me mercenarët e futur në godinën e PD dhe më pas me policinë e Ramës ju hodhi gaz lotsjellës. Pati 12 të plagosur.
Kjo tregoi bashkëpunimin e Bashës me Ramën dhe tregoi që opozita e vërtetë është ajo që doli nga Foltorja.
Ne do vazhdojmë të zbatojmë vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit i cili do të riorganizojë PD. Ndërkohë do të vijojmë me programin e PD, luftën në Parlament kundër narkoregjimit të Ramës, do të zhvillojmë protesta derisa të rrëzojmë këtë regjim me synimin që ta rikthejmë PD në pushtet.
Në këto 8 vite PD degjeneroi dhe humbi të gjitha vlerat nën pushtetin e një njeriu të vetëm.”- shprehet Spaho.