Një i moshuar indian është arrestuar nga autoritetet pasi mori një duzinë doza të vaksinës kundër Covid, të cilat ai pretendon se kanë pasur një efekt shumë pozitiv në shëndetin e tij përtej mbajtjes së tij të sigurt nga virusi.
Ish-postieri Brahamdev Mandal, një banor i fshatit Orai në Bihar, mori dozën e tij të parë të vaksinës më 13 shkurt 2021. Më pas ai u vaksinua rregullisht deri më 4 janar, kur komploti i tij u zbulua përfundimisht. Më vonë u zbulua se ai bëri udhëtime të gjata për të bërë dozat shtesë dhe në një moment madje arriti të rezervonte dy vizita Covid-19 me më pak se gjysmë ore diferencë
“Qendra Shëndetësore Parësore Puraini ka paraqitur një ankesë kundër Brahmdev Mandal.” – tha zëdhënësi i stacionit të policisë Puraini në një deklaratë, të cituar nga mediat lokale.
Mjekët thanë në ankesën e tyre për Mandalin se ai i ka mashtruar duke i siguruar karta të ndryshme identiteti në qendrat e vaksinimit.
Megjithatë Mandal, i cili thotë se i ruan të dhënat e tij të vaksinimit dhe këmbëngul se në shumicën e rasteve ka përdorur dokumentet e tij, duket se nuk është penduar për atë që ka bërë. Mes famës së papritur, ai shpjegoi për mediat se rekomandon që të gjithë ta bëjnë vaksinën, pasi ‘është mjaft e dobishme’ dhe ‘ndihmon edhe dhimbjet e shpinës’. Ai tha se niveli i tij i oksigjenit ‘është përmirësuar’ dhe ai nuk është prekur as nga virusi dhe as nga ftohja që nga fillimi i ‘maratonës së tij të vaksinave’.
Mandal nuk është personi i parë që bën disa doza. Një burrë në Zelandën e Re është vaksinuar 10 herë, por, ndryshe nga Mandal, ai e bënte këtë për para, jo për përfitime shëndetësore. Ai dyshohet se u pagua nga personat që janë kundër vaksinave për t’u vaksinuar në vend të tyre duke u shpërblyer financiarisht.