Nga Alketa Çeku
“Kos me fekale” shitet në supermarkete dhe dyqane pothuajse në çdo qytet të vendit.
Një nga firmat më me emër në Shqipëri e përpunimit të qumështit dhe prodhimit te bulmetit rezulton se ka hedhur në treg këtë produkt që vë në rrezik jetën e konsumatorëve.
Sipas burimeve të Tv Ora në janar 2022 AKU ka marrë monstra kosi të një kompani nga më të njohurat në vend dhe i ka kryer analizat.
Në përgjigje të analizave theksohet se “gjatë analizimit mikrobiologjik të kampionit kos 2.2% yndyrë me datë 10.1.2022 u konstatua vlerë mbi normat e NPM Enterobacterie”.
Edhe pse përgjigjia e analizave ka dalë që në datën 10 janar, konsumatori nuk është njoftuar për këtë skandal.
Pse hesht AKU, edhe pse ka informacion zyrtar që kosi që shitet në të gjithe tregun e vendit ka dalë me prezencë fekalesh?
Tv Ora sapo u vë në dijeni të këtij fakti i ka kërkuar menjëherë një reagim AKU dhe ka dokumetuar te ky institucion një kërkesë për marrje të menjëhershme informacioni.
Kjo është kërkesa që Tv Ora i ka dorëzuar AKU. Edhe pse prisnim një reagim të menjëhershem duket se kjo situatë nuk e ka shqetësuar shumë drejtuesen e AKU, Jeta Deda, e cila e ka në tavolinë përgjigjen e analizave por ka preferuar të heshtë.
Konsumatori ka të drejtë të informohet se sa është sasia e kosit të prodhuar? Sa është shitur dhe sa është tërhequr nga tregu, gjithmonë nëse është terhequr dhe nuk ka përfunduar i tëri në tryezat tona.
Krimi ushqimor vret por akoma më shumë vret heshtja e institucioneve, të cilat nuk reagon nëse media nuk i vë në lëvizje.
Në ditët në vijim Tv Ora do të sjellë të tjera fakte mbi këtë skandal.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e “Ora News”