Vendosni fjalën kyçe....

BSH: Kontratat porositëse në ndërtim, në rënie të fortë prej të paktën pesë vitesh; Kush po blen?!


Kontratat porositëse në sektorin e ndërtimit janë në rënie prej të paktën pesë vitesh me radhë.

Po t’i referohemi vrojtimit të Bankës së Shqipërisë për besimin e biznesit dhe konsumatorit, në muajin dhjetor të vitit të kaluar treguesi i kontratave porositëse në ndërtim pësoi rënie me 37.1%, nduke u thelluar edhe më shumë nga niveli 22.1% i muajit nëntor.

Për të gjithë vitin 2021, indeksi i ecurisë së kontratave porositëse ka pësuar një rënie mesatarisht me 41.8%. Në fakt, rënia e kontratave porositëse është më e zbutur krahasuar me vitin 2020, kur kishte qenë mesatarisht -53.9 pikë përqindje. Sidoqoftë, ky tregues është në territor negativ për të paktën pesë vitet e fundit dhe, po t’i referohemi anketimit të bizneseve, kontratat porositëse ende janë vazhdimisht në rënie.

Nëse nuk vendosim në dyshim saktësinë e vrojtimit, treguesi që paraqet ecurinë e kontratave porositëse në këtë rast shtron një lloj paradoksi: ku po mbështetet rritja e çmimeve në këto përmasa dhe kush po blen, ndërkohë që ndërtuesit prej vitesh raportojnë rënie të thellë të kontratave të shitjes?

Sipas Bankës së Shqipërisë, në 6-mujorin I 2021, Indeksi Fischer i çmimit të banesave u rrit me 0.7% krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 6.7% krahasuar me një vit më parë. Krahasuar me periudhën bazë të vrojtimit, vitin 2013, çmimet e banesave në Shqipëri janë rritur me 49.4%.

Ndërsa sipas indeksit të “Keydata Albania”, publikim nga Çelësi Media Group, çmimi mesatar i banesave në Tiranë në fund të muajit shtator 2021 arriti në 1 121 euro/m2. Krahasuar me periudhën bazë të indeksit, vitit 2005, çmimi mesatar i apartamenteve në Tiranë është rritur me 73%. Edhe pritshmëritë e ndërtuesve për ecurinë e çmimeve në të ardhmen janë në kahun rritës. Për nëntorin 2021, indeksi i pritjes së çmimeve në ndërtim shënoi rritje me 23 pikë përqindje, vlerë dukshëm më e lartë se mesatarja e 11-mujorit 2021, 13.6% dhe ajo e vitit 2020, 4.2%.

Në vitet e fundit, aktiviteti ndërtues po zgjerohet me ritme të shpejta, i nxitur nga rritja e lartë e çmimeve, sidomos në Tiranë dhe në disa zona të bregdetit. Perceptimi është se çmimet po arrijnë nivele dukshëm jashtë mundësive të shtresës së mesme të vendit.

Sipas Instat, në tremujorin III 2021 paga mesatare bruto në Shqipëri ishte 56 mijë lekë ose rreth 460 euro në muaj. Një faktor është se kërkesa në tregun e pronave është mbështetur edhe nga kredia bankare. Huadhënia për prona vitin e kaluar arriti nivelet më të larta historike dhe në fund të nëntorit 2021, portofoli i kredisë për blerjen e apsurive të paluajtshme nga individët arriti në 144 miliardë lekë ose gati 1.2 miliardë euro. Në një vit, ky portofol është rritur me 14%.

Gjithashtu, vrojtimi i Bankës së Shqipërisë me firmat e ndërtimi dhe agjentët e shitjes tregon se afërsisht një e treta e pronave në tregun e pasurive të paluajtshme blihen nga persona jorezidentë në Shqipëri. Kjo tregon se fryrja e çmimeve në një pjesë të madhe po mbështetet në para që vijnë nga jashtë vendit./E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor