Evropa është më afër luftës sesa ka qenë në 30 vjet. Kështu ka paralajmëruar ministri i Jashtëm i Polonisë nga Viena, ku prej disa ditësh po zhvillohen takime mes diplomatëve për qetësimin e tensionet e rritura mes Rusisë dhe Ukrainës.
Zbigniew Rau e bëri këtë deklaratë duke iu drejtuar të dërguarve nga 57 anëtarët e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Ai nuk e përmendi Rusinë, por renditi një varg konfliktesh në të cilat pretendohet përfshirja e Moskës.
“Duket se rreziku i luftës në zonën e OSBE-së është tani më i madh se kurrë më parë në 30 vitet e fundit.”- tha Rau në një fjalim duke përshkruar prioritetet e vendit të tij ndërsa mban kryesimin e rradhës të OSBE-së këtë vit, citon Reuters.
Ai shtoi: “Për disa javë ne jemi përballur me perspektivën e një përshkallëzimi të madh ushtarak në Evropën Lindore.”
Polonia është ndër anëtarët e NATO-s që janë më të ashpër në përballjen me ato që i sheh si ambiciet revizioniste të Rusisë në Evropën Lindore.
“Ne duhet të fokusohemi në një zgjidhje paqësore të konfliktit në dhe rreth Ukrainës.”- shtoi Rau, duke bërë thirrje për “respektim të plotë të sovranitetit, integritetit territorial dhe unitetit të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”.
Rusia thuhet se ka vendosur më shumë se 100 mijë trupa pranë kufijve të saj me Ukrainën, e cila tashmë po lufton me separatistët e mbështetur nga Moska në lindje të saj. Kujtojmë se në vitin 2014 Rusia aneksoi rajonin e Krimesë të Ukrainës.