Vendosni fjalën kyçe....

Shitja e Albtelecom te 4iG merr miratimin e parë, autorizohet nga Autoriteti i Konkurrencës


Autoriteti i Konkurrencës autorizoi ditën e premte blerjen e 80.27% të aksioneve të Albtelecom nga kompania hungareze 4iG.

Në përfundim të analizës, Komisioni i Konkurrencës arriti në konkluzionin se, nisur nga fakti që shoqëria 4iG nuk operon dhe nuk gjeneron të ardhura në Shqipëri, përqendrimi nuk do të krijojë mbivendosje ose marrëdhënie të rrjedhës së sipërme apo të poshtme midis aktiviteteve të palëve në nivel kombëtar dhe për këto arsye, transaksioni i synuar nuk do të sjellë asnjë ndryshim në pjesën e tregut që zotëron shoqëria Albtelecom SHA në treg.

Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, shoqëria 4iG synon të fitojë akses në tregun e komunikimeve elektronike në Shqipëri, në zhvillimin e shërbimeve të telekomunikacionit fiks dhe celular, televizionit si dhe të shërbimeve të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në Shqipëri.

Për t’u finalizuar, shitja e Albtelecom te 4iG duhet të marrë edhe miratimin e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), duke qenë se Albtelecom është i licencuar edhe për shërbime televizive IPTV/OTT.

Gjithashtu, një miratim formal për transferimin e aksioneve do të nevojitet edhe nga Banka Kombëtare Tregtare, që ka barrësuar aksionet e Albtelecom në formë kolaterali financiar për kreditë e dhëna ndaj saj.

Pas marrjes së miratimeve të nevojshme ligjore për blerjen Albtelecom, 4iG pritet të nisë të njëjtat procedura edhe për blerjen e operatorit tjetër të tregut të telekomunikacioneve, ONE.

Kompania hungareze bëri të ditur arritjen e marrëveshjeve për blerjen e Albtelecom dhe ONE gjatë muajit dhjetor 2021. Nëse transaksionet do të finalizohen, 4iG do të bëhet operatori më i madh i telekomunikacioneve në Shqipëri, si në segmentin celular, ashtu edhe në atë fiks.

Sipas statistikave të AKEP, në fund të tremujorit të tretë 2021, ONE kishte pothuajse 1.1 milionë përdorues aktivë ose rreth 41% të totalit të tregut. Ndërkohë Albtelecom, në fund të shtatorit kishte një pjesë tregu për të njëjtin tregues në nivelin 16%.

Të marra së bashku, pjesa e tyre e tregut, sipas përdoruesve aktivë, do të arrinte në 57%, ndërsa Vodafone do të ngelej ndjeshëm mbrapa, me 43%. Për sa i takon shërbimeve fikse, në fund të shtatorit 2021 Albtelecom zotëronte rreth 22% të numrit të pajtimtarëve me akses broadband nga rrjetet fikse dhe 76% të numrit të pajtimtarëve të telefonisë fikse.

Sipas shifrave të publikuara nga AKEP, në vitin 2020 Albtelecom dhe ONE realizuan xhiro totale nga shërbimet e komunikimeve elektronike prej rreth 15.1 miliardë lekësh ose 45% të volumit të përgjithshëm të këtij tregu në Shqipëri,

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor