Thoma Jano është rizgjedhur si zëvendësprokuror i Përgjithshëm i Shqipërisë edhe për një mandat tjetër 2-vjeçar, pas përfundimit të mandatit të parë.
Jano e ka mbajtur këtë detyrë përgjatë periudhës 30.12.2019 deri në 30.12.2021.
Ai mësohet se ka qenë i vetmi kandidat që ka shprehur interes dhe në mbledhjen e prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme më 17 dhjetor Jano është rizgjedhur me votim unanim.
“Pas shpalljes së thirrjes për shprehjen e interesit nga Prokurori i Përgjithshëm, për pozicionin e zv.Prokurorit të Përgjithshëm, në mbledhjen e prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme të zhvilluar në datë 17 dhjetor 2021 është rizgjedhur me votim unanim kandidatura e z. Thoma Jano për pozicionin e zv.Prokurorit të Përgjithshëm. Z. Jano riemërohet Zëvëndësprokuror i Përgjithshëm me vendimin nr. 132, date 30.12.2021 të Prokurorit të Përgjithshëm.
Zëvendësprokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e prokurorëve të prokurorisë së Përgjithshme dhe duhet të ketë të paktën 10 vjet përvojë si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Z. Jano ishte kandidatura e vetme qe shprehu interesin.”– thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Jano mban gjithashtu postin e shefit të sektorit të përgjimit të komunikimeve elektronike që prej vitit 2006.
Ai e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë shqiptare që prej vitit 1976. Ai ka mbajtur poste drejtuese në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm me një kontribut të spikatur në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. Përgjatë periudhës 2002-2004 Z. Jano ka ushtruar detyrën e Zv.Ministrit të Rendit Publik.