Vendosni fjalën kyçe....

Sot 30-vjetori i themelimit të FRESSH-it, Spiropali: Ne nuk jemi e keqja më e vogël por e mira e vetme, të keqardhur për PD-në


Forumi rinor i Partisë Socialiste, FRESSH feston sot 30-vjetorin e themelimit. Në eventin e organizuar në lidhje me këtë rast, mbajti një fjalim ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Gjatë fjalës së saj, Spiropali tha se PS nuk është e keqja më e vogël për Shqipërinë, por e mira e vetme politike që ka për momentin vendi. Ajo iu referua problemeve të brendshme në PD, duke thënë se si ish-kryetari Sali Berisha dhe kryetari aktual Lulzim Basha, i kanë mbyllur derën në fytyrë shqiptarëve.

“Përshëndetje të gjithëve! Gëzuar ditëlindjen e FRESSH-it të gjithë FRESSH-istëve të rinj e të vjetër, progresistëve, socialistëve, ikonave, e të gjithëve e të gjithëve. Gëzuar ju që i keni dhënë kaq shumë këtij forumi e kësaj force politike. Por sot nuk jemi mbledhur për të folur me veten apo për veten.

Më 25 Prill Partia Socialiste mori fitoren më të bukur, më të madhe, më të vështirë në historinë e saj politike. Një rekord historik i një skuadre dhe i një lideri me ambicien e jashtëzakonshme për Shqipërinë. Një përgjegjësi e jashtëzakonshme që duhet ta meritojmë çdo ditë, me punë të palodhur, me përkushtim të madh ndaj të gjithëve, edhe ndaj kritikëve më të mëdhenj tanët.

Këtë detyrim ia kemi shqiptarëve dhe Shqipërisë dhe çdo qytetari të këtij vendi. Partia Socialiste nuk është e keqja më e vogël, PS është sot e mira e vetme në skenën politike shqiptare. Kundërshtarët tanë formal Brava dhe Shuli, Tokmaku dhe Blindi i kanë mbyllur shoqërisë dhe Shqipërisë derën në fytyrë. Ata vuajnë humbjet e tyre të përsëritura, braktisjen e institucioneve, frikën nga drejtësia dhe sfilitjen nga lufta e brendshme, kthyer në një skenë tallëse dhe telenovelë pa qeëllime kombëtare. Në fakt pa qëllim. E pabesueshme por e vërtetë.

Partia që lindi 30 vite më parë nga aspirata për lirinë, për Shqipërinë si e gjithë Europa, pra Partia Demokratike, ka sot prap Sali Berishën ofertë dhe kundërofertë nënproduktin e tij politik që çirret me fjalorin e padronit por nuk arrin dot t’i nxjerrë asnjë thinjë vetes së tij, lë mo punë që s’di të bëjë, s’ka dashur të bëjë dhe s’do të bëjë më shumë. Jemi shumë të keqardhur që arritëm deri këtu. Edhe kur braktisën Parlamentin, zgjedhjet lokale, edhe kur ishin ne targeti i sulmit të tyre, ne bëmë çmos që t’i akomodojmë, t’i trajtojmë, të gjejmë gjuhën si bij dhe bija të të njëjtës Tokë. Por caqet morale dhe njerëzore që kurrë nuk i ruajtën me ne, sot po i shkelin dhunshëm edhe me njëri-tjetrin.”– tha ministrja Spiropali.