Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë të tjera akuza të forta nga kryedemokratit Lulzim Basha nga takimi i tij me demokratët në qytetin e Lezhës.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se Basha qëndron pas kompanive të basteve. Sipas tij, kryeministri Edi Rama e ndërmori aksionin e mbylljes së lojërave të fatit për Lulzim Bashën, pasi sipas tij bastet i kaluan një kompanie në Qipro që është 80% në pronësi të gruas së kreut të PD-së.
“Ka sot një angazhim total të Beogradit kundër shqiptarëve. Projekti Ballkani i Hapur është nga Alfa te Omega një projekt kundër shqiptarëve. Shihni studiot televizive, përfaqësuesit e Beogradit nga Tirana në Prishtinë se si përfaqësojnë. Ju do thoni po ç’lidhje ka Dushani me Lul Bravën? Shumë të ngushtë, ju them unë.
Dy javë më parë dy miq të mi do më tregonin… se kur ndodhi vrasja në Bllok, pas saj Edi Rama vendos ndalimin e basteve. Por të kujt ishin bastet do thoni ju. Bastet ishin të Lul Bravës.
Lul Brava i dërgon të dërguarin e tij special, Dushanin në Prishtinë, i tha hajde me vrap dhe më zgjidh problemin.
Absolutisht. Ua ka thënë Edi Rama direkt, dy personave. U thotë se në Qipro, 80 përqind pronar i kompanisë ishte Lul Brava me emrin e të shoqes. Po, Po.
Pra, e kuptoni ne se ku kemi qenë ne? Se kush na ka drejtuar? I them këto jo për ju, por për Marselin, Beharin, Sandrin, të gjithë ata demokratë të cilët kanë investuar.”– tha Berisha.
Ish-kryeministri tha gjithashtu se Rama tregoi se ishte autori i pushtimit të PD-së, me urdhër nga Beogradi, duke iu referuar ndërhyrjes së policisë gjatë protestës.
“8 janari është faqja më e zezë në 30 vite e një qeverie shqiptare. Më 8 janar, Edi Rama faktoi se ai me mënyrat e tij kriminale, ishte autori i vërtetë i pushtimit të shtëpisë sonë, shtëpisë së PD-së.
Nuk është problemi i një zyre, i një ndërtese. Këtu është problemi themelor: i zbatimit të vendimit të shumicës ndaj pakicës. Pa këtë parim nuk ka demokraci. Dhjetëra-mijëra demokratë shkuan për të zbatuar vendimin e tyre. Kuvendi Kombëtar ka votuar se selia e PD është ajo seli dhe ne shkuam të hymë në shtëpinë tonë. Çfarë ndodhi? Edi Rama rrethoi Lulzim Bravën, pengun e tij, jo vetëm me 8 oficerë garde, me në krye komandantin e rojes së personaliteteve, por Edi Rama i pajisi ata me të gjitha mjetet e dhunës të një policie agresive.
Çfarë ndodhi? E shndërroi selinë e PD në një strofull krimi dhe kriminelësh, të cilët vendin e kishin në qeli dhe vetëm në qeli.
Çfarë ndodhi? Më 8 janar, në një skenar të parapërgatitur, ai vërsuli me kërkesa direkte nga Beogradi, të faktuara, hordhitë e narkobanditëve me uniformë, kundër demorkatëve paqësorë. E them këtë të Beogradit, sepse Baston Stanishiçi është Mugosha i ri në PS dhe në Shqipëri. Mugosha i ri, e ka marrë 6 herë në telefon Edi Ramën, pas urdhrave që i vinin nga Beogradi. Mbro Lul Bravën. Ai nuk e mohoi këtë kur ia përplasën përfaqësuesit tanë.”- tha Berisha.