Vendosni fjalën kyçe....

Akuzat ndaj Bashës, PD i përgjigjet Berishës: Vjen vërdallë nëpër Shqipëri duke treguar gënjeshtra


Zyra e shtypit në Partinë Demokratike ka reaguar pas deklaratave dhe akuzave të shumta të bëra këtë të shtunë nga ish-kryeministri Sali Berisha në drejtim të kryedemokratit Lulzim Basha.

Në njoftimin për mediet, thuhet se Berisha po sillet vërdallë nëpër Shqipëri duke treguar gënjeshtra, por se shqiptarët nuk kanë kohë për të humbur me një “mashtrues kronik”.

“I braktisur nga demokratët, me hallin që sa vjen dhe rritet, Sali Berisha vjen vërdallë nëpër Shqipëri duke treguar gënjeshtra. Demokratët dhe shqiptarët e panë më 8 janar fytyrën e vërtetë të Sali Berishës, urdhëruesit të dhunës kundër Partisë Demokratike. Demokratët dhe shqiptarët nuk kanë kohë për të humbur me një mashtrues kronik. Demokratët kanë zgjedhur të ardhmen, sepse shqiptarët duan dhe meritojnë një jetë më të mirë!”- thuhet në reagimin e PD-së.

Kujtojmë se më herët në një takim me demokratët në Lezhë, ish-kryeministri Sali Berisha bëri akuza të forta nga kryedemokratit Lulzim Basha, duke thënë se ai qëndron pas kompanive të basteve.

Sipas tij, kryeministri Edi Rama e ndërmori aksionin e mbylljes së lojërave të fatit për Bashën, pasi sipas tij bastet i kaluan një kompanie në Qipro që është 80% në pronësi të gruas së kreut të PD-së.

 “Ka sot një angazhim total të Beogradit kundër shqiptarëve. Projekti Ballkani i Hapur është nga Alfa te Omega një projekt kundër shqiptarëve. Shihni studiot televizive, përfaqësuesit e Beogradit nga Tirana në Prishtinë se si përfaqësojnë. Ju do thoni po ç’lidhje ka Dushani me Lul Bravën? Shumë të ngushtë, ju them unë.

Dy javë më parë dy miq të mi do më tregonin… se kur ndodhi vrasja në Bllok, pas saj Edi Rama vendos ndalimin e basteve. Por të kujt ishin bastet do thoni ju. Bastet ishin të Lul Bravës.

Lul Brava i dërgon të dërguarin e tij special, Dushanin në Prishtinë, i tha hajde me vrap dhe më zgjidh problemin.

Absolutisht. Ua ka thënë Edi Rama direkt, dy personave. U thotë se në Qipro, 80 përqind pronar i kompanisë ishte Lul Brava me emrin e të shoqes. Po, Po.

Pra, e kuptoni ne se ku kemi qenë ne? Se kush na ka drejtuar? I them këto jo për ju, por për Marselin, Beharin, Sandrin, të gjithë ata demokratë të cilët kanë investuar.”– ishin fjalët e Berishës.