Vendosni fjalën kyçe....

6 bashki pa kryetarë, KQZ i kthen përgjigje presidentit Meta: S’kemi dijeni për tre prej tyre


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kthyer përgjigje presidentit Ilir Meta lidhur me kërkesën e tij për informacion në lidhje me vakancat në pozicionet e kryetarëve të bashkive.

Përmes një shkrese zyrtare, KQZ njofton Presidentin se bashkitë pa kryetar janë Vora, Dibra dhe Shkodra. Ndërkohë për tre bashkitë e tjera Lushnjën, Rrogozhinën dhe Durrësin, KQZ thotë se nuk ka dijeni, pasi duheshin informuar nga Këshilli i Ministrave.

Kujtojmë se Meta i ishte drejtuar me një shkresë KQZ-së, ku i kërkonte të dhëna mbi vakancat e parakohshme në në organet ekzekutive të pushtetit vendor.

Ai kërkonte informacion mbi këto pyetje.

“Kush janë saktësisht ato njësi të Qeverisë Vendore (Bashki) në të cilat përgjatë kësaj periudhe 30 qershor 2019-Janar 2022, sipas informacionit tuaj të Kryetarëve të Bashkive u ka përfunduar mandati në mënyrë të parakohshme?

Cili është shkaku ligjor dhe akti përmes të cilit është realizuar përfundimi i parakohshëm të mandatit për plotësimin e të cilave është i nevojshme organizimi i zgjedhjeve të pjesshme për kryetarin e bashkisë, në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë?”- thuhej në shkresën e Metës.