Vendosni fjalën kyçe....

Rama mesazh Perëndimit në prani të Erdoganit: Mes BE-së dhe Turqisë zgjedh Shqipërinë, me ju jemi aleatë e me ata miq


Kryeministri Edi Rama ka dhënë një mesazh për aleatët e tij në BE dhe në SHBA lidhur me takimin e tij të sotëm me presidentin e Turqisë, Erdogan.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Rama tha se mes BE-së dhe Turqisë, ai ka zgjedhur Shqipërinë. Ai u shpreh se mbetet një aleat strategjik i Perëndimit, por po ashtu edhe një mik i Turqisë.

“Duke ndjekur sot rrugës kthimin nga Laçi më bëri për të qeshur komenti i një qytetari i cili thoshte shyqyr që nuk je mysliman se kaq shumë sa rri me presidentin kush e di çdo të thonin ata të BE-së. Në fakt jam katolik, gjysmën më të mirë e kam myslimane, por nuk besoj se kushdo qoftë në Shqipëri apo BE duhet të shqetësohet për këto marrëdhënie. Edhe në kohën kur Shqipëria ishte vend shumë i mbyllur, prap marrëdhënia me Turqinë ishte aty.

Kur vjen puna te marrëdhënia ime me Erdogan nuk ka asgjë për tu shqetësuar janë për të qeshur shumë nga ato që thuhen. E vërteta është që janë disa gjëra që nuk zhbëhen. Unë nuk di një qeveri tjetër përveç asaj të Erdogan asaj kohe kryeministër të jetë mbledhur në sesion të jashtëzakonshëm për të ndjekur direkt punimet e parlamentit të Kosovës dhe për ta njohur në atë moment.

Këtë e ka bërë zotëria në krahun tim. Përtej të gjitha teorive mendoj se roli i Turqisë në rajonin tonë është i pazavendësueshëm.  

Nuk është e shpeshtë të takosh njerëz që nuk kanë përmbajtje plastike. Një nga këta njerëz është presidenti i Turqisë. Nuk kam dëgjuar në takimet me të kokë më kokë asgjë që nuk e kam dëgjuar publikisht. Mendoj se këtu ka vetëm të mira. Mos e harrojmë që BE pa Turqinë do të ishte në një situatë që mund të mos i ngjante fare asaj që është sot. Turqia është një valvul e pashmangshme sigurie.

Ne jemi me Shqipërinë dhe pikërisht pse jemi me Shqipërinë jemi miq të ngushtë me Turqinë, jemi edhe aleatë me BE dhe SHBA dhe nuk jemi këtu për të bërë zgjedhje o këtej o andej. Zgjedhja jonë është shumë e qartë, është Shqipëria.”- tha Rama.