Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka mbajtur fjalën e parë në Këshillin e Sigurimit në OKB, ku Shqipëria merr pjesë për herë të parë si anëtare jo e përhershme.
Gjatë fjalës së saj mbi temën e diskutimit “Gratë, Paqja dhe Siguria”, Xhaçka u shpreh se gratë sot ende luftojnë për gjërat më thelbësore.
“Dhe gjatë gjithë këtyre viteve një mendim më ka shoqëruar në mënyrë konstante: Si është e mundur që gratë duhet akoma të luftojnë për diçka kaq elementare si barazia, e për të njëjtat të drejta si burrat që janë gjysma tjetër e popullsisë?
Është një e vërtetë e trishtuar e historisë, por është gjithashtu një e vërtetë e trishtuar e ditëve dhe epokës tonë që ndërsa burrat aktualisht shkaktojnë pjesën më të madhe të luftimeve, gratë shpesh mbajnë peshën kryesore të tyre. E pamë këtë në Kosovë. Gratë u lanë pas për t’u kujdesur për familjet e tyre, gratë u lanë pas për të mbledhur pjesët e mbetura. Gratë përdhunoheshin, torturoheshin dhe vriteshin si shënjestra të qëllimshme të një fushate kriminale të spastrimit etnik.
Dhe këtë e shikojmë në të gjitha konfliktet kudo në botë nga Afganistani në Jemen, nga Mianmar në Etiopi, në Siri ose përndjekja që iu bëhet aktivistëve në Bjellorusi. Aktivistet gra përballen me kërcënime dhe rreziqe, ku përfshihen ndalimet arbitrare, rrëmbimet e zhdukjet nga autoritetet qeveritare, madje edhe vrasje nga autoritetet qeveritare, jo vetëm për shkak të rreziqeve të zakonshme që vijnë me aktivitete e tilla në zonat e konfliktit, por edhe për faktin që janë gra.”– tha Xhaçka.
Mes të tjerash, ministrja e Jashtme përmendi prioritetin që sipas saj ka qeveria shqiptare sa i përket barazisë gjinore.
“Jam krenare që barazia gjinore është një prioritet i lartë për Qeverinë Shqiptare, jo vetëm me fjalë dhe politika, por edhe me veprime e arritje konkrete. Shqipëria renditet aktualisht ndër 5 qeveritë e para me barazi gjinore të balancuar, me 75% të posteve ministrore të mbajtura nga gratë.
Një përqindje e ngjashme e posteve ekzekutive të nivelit të lartë dhe të mesëm, si dhe disa nga postet kryesore më të larta publike – duke përfshirë institucionet e pavarura, agjencitë, departamentet në fusha kyçe të shtetit – mbahen nga gratë.”- u shpreh ajo.