Vendosni fjalën kyçe....

Prishja e shtëpive te ‘5 Maji’, ish-deputeti Balliu: E paligjshme, është skemë mafioze për ndërtim pallatesh në gjithë Tiranën


Ish-deputeti demokrat Klevis Balliu dhe depuetja e PD-së Dhurata Çupi kanë qenë sot në zonën e ‘5 Majit’ në Tiranë ku po zhvillohet aksioni për prishjen e disa ndërtimeve.

Banesat po prishen nga IMT-ja për t’u hapur rrugën ndërtimit të disa pallateve. Banorët janë shprehur kundër prishjes së banesave të tyre duke e konsideruar atë të paligjshme dhe kanë pohuar se do e kallëzojnë në prokurori Bashkinë e Tiranës për dëmtim prone.

Ish-deputeti Balliu tha se qytetarët i janë drejtuar prokurorisë së Tiranës e SPAK-ut për këtë çështje por nuk kanë marrë ende asnjë përgjigje ndërkohë që prishja e ndërtimeve vijon.

Balliu theksoi se bëhet fjalë për një skemë mafioze për ndërtim pallatesh që është shtrirë në mbarë Tiranën duke përmendur edhe prishjet që po ndodhin në Laprakë. 

Po kështu ai ka deklaruar se opozita duhet të ishte pranë qytetarëve që në orët e para të mëngjesit. Ndërkohë deputetja Çupi tha se PD-ja do e çojë prishjen në SPAK duke pohuar se është pranë qytetarëve në të drejtën e tyre.

“Askush nuk është kundër projekteve, kush do t’i paguajë këta banorë nëse gjykata vendos në favorin e tyre. Sa është shuma monetare që e ngop monstrën Erion Veliaj, sa qytetarë shqiptarë duhet të mbeten pa shtëpi që të kënaqet Erion Veliaj, sa njerëz duhet të hidhen në rrugë. Cila është shuma që të kënaqet Erion Veliaj. Ja kanë çuar SPAK, prokurorisë dhe nuk kanë marrë asnjë përgjigje, kryetari i SPAK, kryetarja e prokurorisë së Tiranës duhet të dalin në deklaratë, dhe këto prishje të mos ndodhnin deri në përfundimin e hetimeve. Pse kjo është zgjidhja, prishim shtëpi, dhe fusim gazetarët në burg. Ku është SPAK-u i famshëm, pse nuk iu kthen përgjigje këtyre qytetarëve? Nuk i kushton asgjë, nxitimi janë lekët dhe korrupsioni. Këtu nuk ka më shtet, ata palaçot opozitarë duhet të ishin këtu që në orën 06:00 të mëngjesit.” – tha Balliu.

Dhjetëra forca të Policisë së Shtetit e asaj Bashkiake si dhe punonjës të IMT-së kanë shkuar që në orët e para të mëngjesit në zonën e ‘5 Majit’ për prishjen e disa banesave. Policia ka shoqëruar disa prej banorëve që kanë kundërshtuar të dalin prej banesave.