Vendosni fjalën kyçe....

Jorida Tabaku: PS votoi kundër hetimit të inceneatorëve, dëshmi e mbrojtjes politike që po i jep kësaj afere


Deputetja e PD-së dhe njëkohësisht kryetarja e Komisionit Hetimor për Inceneratorët, Jorida Tabaku, ka dalë në një deklaratë për mediet pas përfundimit të mbledhjes së sotme të këtij komisioni.

Tabaku tha se vota e socialistëve kundër për miratimin e planit të veprimit në Komision Hetimor, pas 3 orësh debatesh, dëshmon mbrojtjen politike që Partia Socialiste po i ofron aferës së inceneratorëve.

Zonja Tabaku shprehet se PS duhet t’i kishte lejuar që të vijonin hetimin për 3 muaj, por nuk e ka bërë këtë.

“Fatkeqësisht PS votoi kundër hetimit të Inceneratorëve, aferës që ka përpara drejtësisë një ministër që është Lefter Koka. Për 3 orë jam përpjekur që t’i kërkoj kolegëve socialistë që të votojnë planin e hetimit. Nuk ka asnjë arsye sepse t’i fshihen hetimit Edi Rama, Ëngjëll Agaçi, Arben Ahmetaj dhe Qazim Sejdini.

Partia Demokratike prezantoi sot një plan hetimi me 20 dëshmitarë dhe të zbatohet rregullorja. Kemi kërkuar të vijnë informacione nga të gjitha institucuionet shtetërore, të vijë informacion nga sektori bankar, nga kompania koncesionare dhe nga drejtoria e tatimeve për pagesat, të cilat nuk kanë ardhur.

Ky komision ka një fitore të vogël që është vendosja përpara drejtësisë e Lefter Kokës. PS duhet të na lejonte që të vijonim hetimin për 3 muaj. Partia Socialiste doli mburojë e Edi Ramës dhe Lefter Kokës. Vota kundër tregon mbrojtjen politike që i jep kësaj afere dhe që janë të gjithë brenda.

PD është e vendosur që të vijojë denoncimin e kësaj afere dhe të çojë prova në SPAK.”– tha Tabaku.