Vendosni fjalën kyçe....

Meta dekreton 6 marsin si datë për zgjedhjet e pjesshme lokale


Presidenti Meta ka dekretuar 6 marsin si datë për zgjedhjet e pjesshme lokale.

Njoftimin e ka bërë vetë Kreu i shtetit nëpërmjet një postimi në faqe e tij në Facebook.

Zgjedhjet e pjesshme lokale do bëhen për bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë e Lushnjë.

Nga këto 6 bashki, Shkodra është e vetmja që drejtohet nga një kryetare me mandat të përfunduar kushtetues, pasi Voltana Ademi vendosi të qëndrojë në detyrë, ndërsa 5 bashkitë e tjera vijojnë punën me kryetar të komanduar.

BASHKITË PA KRYETAR

SHKODËR

I dalë fitues nga votimet e 30 qershorit por i akuzuar nga PD-ja si i dënuar në Itali për drogë, Valdrin Pjetri, dha dorëheqjen nga marrja e postit të kryebashkiakut më 15 gusht 2019.

Pjetri u largua për shkak të akuzave të vazhdueshme se prekej nga ligji i dekriminalizimit. Ai do të shprehej se akuzat ndaj tij ishin si rrjedhojë e një ngjarje banale të ndodhur 17 vjet më parë mes shokëve por për të cilën nuk ka asnjë përgjgjësi.

Edhe kryeministri Edi Rama i pati dalë në mbrojtje duke thënë se “Çfarëdo të ketë bërë 19 vjeç nuk e bën kurrësesi njeriun një kriminel! Por fshehja e ngjarjes është e patolerueshme dhe pasojat për Shkodrën të pajustifikueshme!”.

Prokuroria kreu verifikime të dy vetëdeklarimeve të Pjetrit, duke thënë se ai “Është arrestuar në flagrancë nga personeli i Policisë së Shtetit së Firences në datën 27.01.2003 së bashku me një shtetas tjetër shqiptar për shkelje të ligjeve mbi lëndën narkotike bazuar në ex art 73 DPR 309/90.”

VORË

Edhe bashkia e Vorës ka mbetur pa kryetar për shkak të dekriminalizimit që prej datës 1 nëntor 2019.

Pas denoncimeve së pari nga Partia Demokratike, rezultoi se kryetari Agim Kajmaku ishte ndaluar nga autoritetet në Greqi kur jetonte në shtetin fqinj me emrin Jorgo Toto. Po këtë ai nuk e kishte deklaruar në formular. Por përpos fshehjes së dënimit, pati të tjera zhvillime pas heqjes së mandatit të kryetarit.

Kjo sepse pasi KQZ i hoqi mandatin më 1 nëntor, Kajmaku kishte firmosur shkarkimin nga detyra të dy nën kryetarëve dhe ka vendosur dikë tjetër në atë post duke shtuar akuzat ndaj tij.

DURRËS

Rasti i Durrësit është i ndryshëm nga dy rastet e lartpërmendura. Valbona Sako u dorëhoq si kryebashkiake e Durrësit në 1 dhjetor 2019, pak ditë pas tërmetit të 26 nëntorit.

Kjo pas një deklarate në media, që nuk u prit mirë në opinionin publik. “Për hir të së vërtetës duhet ta themi që ky ishte një tërmet i nivelit shkatërrimtar, por që jemi të kënaqur me 50 viktima, sepse në rastet e tjera kanë qenë mbi 1000 viktima.” – ishte deklarata e Sakos që nuk u prit mirë nga qytetarët, të cilët i kërkuan asaj dorëheqjen.

DIBËR

Dionis Imeraj dha dorëheqjen më 8 mars 2021, pasi vendosi të kandidonte për deputet në zgjedhjet e 25 Prillit.

Ai synoi një mandat në parlamentin e ri në radhët e Partisë Socialiste, por nuk mori asgjë.

I renditur në vend të tretë në listën e Partisë Socialiste, Imeraj ‘u dogj’ pasi PS arriti të merrte vetëm 2 mandate në këtë qark, duke kaluar në parlament Lavdrim Krashi me 3317 vota dhe Aurora Marën me 9367 vota. Vetë Imeraj ka siguruar 5 mijë e 154 vota dhe i vetmi shans që të dilte deputet ishte të thyente herësin.

RROGOZHINË

Kryebashkiaku i Rrogozhinës Haxhi Memolla, u nda nga jeta në moshën 52-vjeçare më 22 shkurt 2020. Përpos dhimbjes që u la familjarëve të tij, Memolla la edhe bashkinë pa një kryetar.

Haxhi Memolla u zgjodh në postin e kryebashkiakut pas zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, ku pjesëmarrëse ishte vetëm PS pasi opozita i bojkoti.

LUSHNJË

Fatos Tushe u shkarkua nga posti i kryetarit të Bashkisë së Lushnjës me vendim qeverie që prej datës 7 korrik 2021pasi u mor i pandehur nga SPAK për korrupsion.

Ai fillimisht e ankimoi vendimin në Gjykatën Kushtetuese, por më vonë u tërhoq.

Tushe akuzohet për korrupsion lidhur me një tender për një kanal vaditës me vlerë rreth 24 milionë lekë të reja./Hashtag.al