Vendosni fjalën kyçe....

Aeroportet, Eurocontol ul tarifën për Tiranën, nuk e ndryshon atë të Kukësit


Tarifa e terminalit për Aeroportin e Rinasit për vitin 2022 do të jetë më e ulët se ajo e një viti më parë.

Eurocontol, organizata që menaxhon trafikun ajror europian dhe faturon e mbledh tarifat (për llogari të Albcontrol) vendosi që kjo ulje të jetë me 2.6% në raport me vitin 2021.

Konkretisht tarifa e terminalit për Aeroportin e Rinasit do të jetë 229.48 euro, ndërkohë që më herët ishte 235.67 euro. Aeroporti i Rinasit është kryesori e për rrjedhojë duke u kategorizuar në zonën 1 e për rrjedhojë ka edhe një tarifë më të lartë.

Për Aeroportin e Kukësit për të cilin e njëjta agjenci vendosi korrikun e vitit të shkuar tarifë terminali 117.84 euro, edhe në vitin 2022 do të jetë i njëjti nivel. Ky aeroport cilësohet si pjesë e zonës 2.

Në njoftim thuhet se për pagesat e vonuara do të aplikohet edhe interes, i cili për këtë vit është 9.48% duke pësuar edhe ky i fundit një ulje të lehtë në raport me interesin e vitit 2021.

Shqipëria ka aktualisht dy aeroporte por aktualisht vetëm nga Rinasi mund të kryhen fluturime ndërkohë që Kukësi prej disa kohësh nuk ka fluturime.

Në proces është ndërtimi i një aeroporti të tretë në Jug të vendit’ konkretisht në zonën e Akërnisë në Vlorë ndërkohë që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tentoi të japë një koncesion për një të katërt në Sarandë por që përfundoi pa sukses.

Çfarë është tarifa e terminalit

Në një shpjegim të zgjeruar të Eurocontrol tarifat e terminalit janë fatura që dërgohen nga Eurocontol çdo muaj (në mes të muajit pasues) për fluturimet që u zhvilluan në muajin paraardhës bashkë me faturën e tarifës së itinerarit.

Dokumentet e faturimit tregojnë qartë shtetin për të cilin vilen këto para. Termat e pagesës për pjesën e tarifave të terminalit janë të njëjta me ato të itinerarit që aplikohen nga Eurocontrol që do të thotë 30 ditë nga data e faturimit.

Lidhur me mënyrën sesi llogariten këto tarifa, Eurocontrol sqaron se vendet anëtare përcaktojnë zonat e tarifimit për terminalet që mund të jetë një aerodrom apo disa aerodrome që lokalizohen në një vend të caktuar ku ofrohen shërbime për të cilën duhet të paguhet tarifë. Tarifat e terminalit vendosen vetëm për fluturimet që nisen dhe marrin parasysh dy elemente thelbësore.

Së pari, peshën e avionit që niset dhe së dyti, njësinë e tarifës për aerodromin nga ku bëhet nisja. Rezultati që merret pasi bëhet shumëzimi i dy elementëve është vlera që paguhet për terminalin. Faktori i peshës llogaritet në ton metrike./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor