Gazetari Klodian Tomorri i ka bërë thirrje prokurorisë që të hetojë tenderat Covid të bëra nga Ministria e Shëndetësisë gjatë pandemisë.
Ai shpjegon atë që ka ndodhur me këto tendera duke sjellë si shembull vetëm njërin prej tyre e duke i bërë thirrje prokurorisë të hetojë.
Gazetari shkruan se në gusht të vitit 2020 u bë tenderi për pajisjet mjekësore në kuadër të pandemisë Covid.
Nga 12 kompani që morën pjesë në garë, ai thekson se 5 prej tyre dhanë oferta tre herë më të ulëta se fondi limit që ishte 5 milionë euro, duke e ofruar shërbimin për 1.7 milionë euro.
“Në nëntor të vitit 2020, Ministria e Shëndetësisë lidhi një kontratë 3 milionë euro me kompaninë Intermed për blerjen e pajisjeve mbrojtëse ndaj Covid. Nënshkrimi i kontratës ishte epilogu i një procesi prokurimi, që duhet të hyjë në manualet e dhunimit të parasë publike me arrogancë dhe pa asnjë frikë nga ligji. Tenderi për blerjen e pajisjeve mbrojtëse ndaj Covid për personelin shëndetësor u zhvillua në gusht të vitit 2020. Ai parashikonte blerjen e dorezave, maskave, syzeve, dhe veshjeve mbrojtëse për mjekët dhe infermierët në spitalet publike me fond limit të përcaktuar prej 600 milionë lekë ose 5 milionë euro. Në garë u paraqitën 12 kompani. Mes këtyre 12 kompanive, 5 kompani dhanë oferta 3 herë më të ulët se fondi limit. Pra nga 5 milionë euro që ishte fondi limit, 5 oferta ishin nën 1.7 milionë euro. Madje oferta e parë ishte edhe më pak se 1 milionë euro, ose 5 herë më pak se fondi limit. Që këtu, tenderi duhet të ishte bllokuar menjëherë. Si është përllogaritur fondi limit 5 milionë euro, kur në garë hyjnë 4 oferta me 3 herë më pak? Por nuk mbaron me kaq.” – shkruan Tomorri.
Më tej Tomorri shkruan se nga 12 ofertat, ministria e drejtuar nga Manastirliu kualifikoi 4 ofërta, ku më e ulëta ishte 1 milion euro, që duhet të ishte automatikisht fituese.
Megjithatë vijon gazetari, pas ankesës së kompanisë Intermed, që edhe është shpallur fituese në fund, ka kërkuar skualifikimin e konkurrentëve.
Pas kësaj Komisioni për Prokurimin Publik i ka skualifikuar të gjitha kompanitë në garë duke lënë vetëm kompaninë Intermed, që ishte renditur e 10-ta për sa i përket ofertës së bërë.
Në fund Intermed shpallet fituese edhe pse kishte bërë një ofertë 3 milionë euro, 2 milionë euro më shumë se kompania me ofertën më të ulët.
“Nga 12 ofertat, Ministria e Shëndetësisë kualifikoi 4 oferta. Përfshirë atë më të ulëtën me 1 milionë euro, çka e shpallte atë automatikisht fituese të tenderit. Por pastaj fillon batërdia. Intermed, kompania me ofertën më të lartë ndër ofertat e kualifikuara ankohet në Komisionin e Prokurimit Publik duke kërkuar skualifikimin e të gjitha ofertave para saj. Paralelisht ndaj kompanive të tjera pati edhe mesazhe; ose tërhiquni ose tenderi mund të anullohet. Në KPP, kjo ka qenë një nga çështjet me më shumë sherr. Çfarë bën KPP në fund? I skualifikon të gjitha ofertat, përveç Intermedit. Si rezultat, kompania e cila kishte ofertën e 10-të, u shpall fituese e tenderit. Pra u skualifikuan 9 kompani me oferta më të ulëta dhe u shpall fituese kompania e renditur e 10-a. Diferenca mes ofertës së Intermed që fitoi tenderin dhe ofertave më të ulëta që skualifikoi KPP është plot 2 milionë euro. Me pak fjalë, taksapaguesit shqiptarë do t’i kishin blerë materialet mbrojtëse të mjekëve me 1 milionë euro. Por në vend të kësaj i blenë me 3 milionë euro.” – vijon denoncimin Tomorri.
Në fund Tomorri i kërkon prokurorisë që të hetojë jo vetëm tenderin në fjalë por të gjithë tenderat e dhënë gjatë pandemisë nga Ministria e Shëndetësisë, duke theksuar se për këto çështje në Itali ka dhjetëra persona të dënuar me burg.
“Por pse nuk lëviz prokuroria? Ky është tender me flamuj të kuq gjithandej, por nuk hetohet. Askush nuk e merr mundimit të verifikojë praktikën e ndjekur dhe dokumentat e tenderit. Si u përcaktua fondi limit? Sa përkojnë argumentat e dhëna nga KPP në vendim me dokumentat e kompanive? Askush nuk merr mundimin të verifikojë çfarë pagesash ka bërë fituesi pas tenderit? Kujt i ka bërë pagesa apo transferta? Nga kush i ka blerë materialet? Se ndoshta rezulton hetim pa shumë mund. Dhe ky është vetëm një nga tenderat Covid. Por këtu është bërë masakër me prokurimet e Covid. Ndërkohë në Itali sot janë me dhjetëra zyrtarë në burg për tenderat e pandemisë. Këta gëzojnë paratë. Vetëm me një tender, 2 milionë euro.” – mbyll reagimin Tomorri.