Vendosni fjalën kyçe....

Moti i ftohtë, Ministria e Mbrojtjes: Akset ku përdoren zinxhirë, rruga Peshkopi-Lurë e bllokuar


Ministria e Mbrojtjes ka publikuar informacionin zyrtar lidhur me situatën në terren dhe gjendjen e rrugëve në vend, pas temperaturave shumë të ulëta të ditës së sotme.

Në disa akse po përdoren zinxhirë për shkak të reshjeve të dëborës, ndërsa është e bllokuar rruga Peshkopi-Lurë. Meteorologët parashikojnë rënie të mëtejshme të temperaturave nën zero, ndaj Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje të gjithë qytetarëve, të tregohen të kujdesshëm.

“Aktualisht qarkullohet me zinxhirë në rrugën e Arbrit, Qarku Dibër. Është e bllokuar rruga Peshkopi-Lurë, por lëvizet në aksin Lurë-Rrëshen dhe Xibër-Klos me zinxhirë. Punonjësit e ARRSH ndodhen në terren që prej ditës së djeshme edhe në akse të tjera të vendit, ku në disa zona vijon normalisht qarkullimi, por me zinxhirë.

Po ashtu po punohet nga grupet e OSHEE për kthimin e energjisë në njësitë Kala e Dodës, Reç, Lurë, Selishtë të bashkisë Dibër si dhe në fidrin 6, njësia administrative Lunik, bashkia Librazhd.
Meteorologët parashikojnë rënie të mëtejshme të temperaturave nën zero, ndaj Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje të gjithë qytetarëve, veçanërisht atyre në zonat e thella malore të bëjnë kujdes, të ndjekin këshillat e bëra publike nga Agjencia e Mbrojtjes Civile dhe të njoftojnë autoritetet vendore në rast nevoje. Të gjitha strukturat e saj janë të angazhuara në çdo moment për të qenë pranë qytetarëve në këto ditë me temperatura ekstreme.”- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.