Vendosni fjalën kyçe....

Ina Zhupa: Mërtiri mori 3.2 miliardë lekë nga qeveria, por investoi vetëm 31% të vlerës së planifikuar për inceneratorin e Tiranës, do çojmë prova të reja në SPAK


Zëdhënësja e Partisë Demokratike Ina Zhupa ndërsa publikon ato që i cilëson si prova kundër aferës së inceneratorëve, i bën thirrje publike SPAK-ut që të hetojë.

Në cilësinë e anëtares së Komisionit Hetimor për Inceneratorët, Zhupa u shpreh në një deklaratë për mediet se kontrata që lidhet me inceneratorin e Tiranës që iu dha biznesmenit Mirel Mërtiri, ka kaluar në sitën e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Ajo thekson se KLSH ka konstatuar që kostoja për qytetarët shqiptarë nuk ishte më 29 euro, por ka shkuar në 40 euro.

“Mërtiri, ishte bashkudhëtar dhe është bashkudhëtar me Arben Ahmetajn, Damian Gjinkurin, por lidhja shkon dhe me atë që i firmosi këto kontrata, Edi Ramën, Engjëll Agaçin, apo Velianjn. Pasi e shpallën fitues Mirel Mërtirin, kaluan në momentin tjetër, momenti i nënshkrimit të kontratës, për inceneratorin e Tiranës. Kjo kontratë që është firmosur nga vetë kryeministri, pavarësisht se poshtë është dhe Lefter Koka. Lefter Koka nuk është koka e aferës, pasi e ka firmosur dhe Edi Rama.

Kontrata më pas kaloi në një sitë nga KLSH. Raporti i KLSH pasi e ka parë kontratën, ka nxjerrë që kjo kontratë është e manipuluar. Në kontratë thuhet se qytetarët shqiptarë do të paguajnë 29 euro për njësi, ndërkohë ata do paguajnë 41 euro për njësi. Kostoja që qytetarët shqiptarë do të paguajnë është 436 milionë euro. Aq sa e ka thënë opozita dhe sa e nxjerr raportimi i KLSH.

Kjo është shkelja e tretë që paraqesim pranë jush dhe kjo është prova se pse vazhdon të pengohet veprimtaria e Komisionit Hetimor të Inceneratorëve. Kjo skemë nuk kishte pse mos të përfshinte dhe Erion Veliajt. I është dërguar një shkresë bashkisë së Tiranës ku kërkohej informacion.

Veliaj është përfshirë në landfillin e Sharrës, pasi u munduan që të manipulonin vrasjen e Arditit. Përkundrejt asaj që kërkon ligji, që shkresa i detyrohet të shkojë te Këshilli bashkiak dhe ky këshill të marrë vendim nëse është dakord apo jo, Veliaj se kalon në Këshill siç e kërkon ligji, Por kthen një shkresë dhe e vetfirmos dhe merr vetë përgjegjësi për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. Ai jo vetëm anashkalon ligjin, por letra e tij merret si letër miratimi për gjithë qarkun e Tiranës.

Po si ka funksionuar deri më sot? I shkelën të gjitha rregullat për mënyrën se si e ngritën, por si ka funksionuar. Auditi është bërë nga ministria e Financave, vetë shteti shqiptar. Raporti i Ministrisë së Financave tregon se shteti i ka paguar Mërtirit 100% të parave të planifikuara, 3.2 miliardë lekë. Pra asnjë qindarkë mangët. Ndërkohë, Mërtiri inceneratorin e Tiranës, sipas raportit të Ministrisë së Finanae ka planifikuar vetëm 30% të vlerës së planifikuar. Po ku janë 70% e vlerës së marrë nga lekët e shqiptarëve? Si janë ndarë paratë? Ku janë shumica e parave që ka dhënë shteti shqiptar? Ky është detyrim i SPAK të bëjë hetimet. Shteti i ka paguar të gjitha.

Vlera e inceneratrorëve është sa vlera e 1 të prodhimit të brendshëm bruto. Viktima të këtij grupi të strukturuar kriminal nuk janë vetëm qytetarët e qarkut Tiranë, por edhe të Durrësit. Do ta vazhdojë dhe do çojmë provat e reja në SPAK. Çdo dokument që do të vihet në dijeni, do të jetë gjithmonë i hapur për mediat dhe qytetarët.”– tha Zhupa.