Vendosni fjalën kyçe....

Shefi i marinës gjermane jep dorëheqjen pas komenteve për Putinin dhe Ukrainën


Kreu i Marinës Gjermane, Zëvendës-admirali Kay-Achim Schoenbach ka dhënë dorëheqjen, vetëm një ditë pasi shprehu bindjen se Krimea “nuk do të kthehet më kurrë” dhe se Vladimir Putin dhe Rusia “ndoshta meritojnë respekt”.

Schoenbach i kërkoi ministres së Mbrojtjes Christine Lambrecht që ta lironte nga detyrat “me efekt të menjëhershëm” dhe ministrja e pranoi dorëheqjen e tij.

Kujtojmë se duke folur në një event të organizuar në Nju Delhi të premten, zëvendës-admirali hodhi poshtë si “të pakuptimtë” nocionin se Rusia ishte “e interesuar të kishte një rrip të vogël të tokës së Ukrainës dhe ta integronte atë në vendin e tyre”.

Schoenbach vazhdoi të pretendonte se ajo që Presidenti Putin donte ishte që Perëndimi të “respektonte” Rusinë, duke shtuar se “është e lehtë t’i jepet atij respekti që ai me të vërtetë kërkon – dhe ndoshta gjithashtu e meriton”. Duke trajtuar çështjen e Krimesë, komandanti i marinës gjermane u shpreh se “nuk do të kthehet më kurrë – ky është një fakt”.

Mirëpo komentet e Schoenbach, nxitën një polemikë diplomatike, me Ministrinë e Jashtme të Ukrainës që thirri ambasadoren gjermane në vend, Anka Feldhusen, të shtunën. Kievi i përshkroi komentet e tij si “të papranueshme”.

Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë u distancua menjëherë nga deklaratat e diskutueshme të gjeneralit, duke nxjerrë një zëdhënës që i cilësoi komentet e zëvendësadmiralit se nuk pasqyrojnë “në asnjë mënyrë pozicionin” e ministrisë, si “për përmbajtjen dhe zgjedhjen e fjalëve”.

Në një përpjekje të dukshme për të qetësuar situatën, Schoenbach tha se ai “nuk duhet ta kishte bërë në këtë mënyrë” dhe duke i përshkruar vërejtjet e tij si një “gabim të qartë”. Disa orë më vonë, emri dhe fotografia e tij u zhdukën nga faqja në “Twitter” e shefit zyrtar të marinës dhe biografia e tij u ndryshua duke u lënë “bosh“.