Silvio Berlusconi ka hequr dorë nga gara për president të Italisë vetëm dy ditë para zgjedhjeve.
Ai pretendon se i kishte votat, por preferoi të largohej për hir të unitetit të vendit.
“Pas takimeve të panumërta me deputetë dhe delegatë rajonalë, gjithashtu dhe mbi të gjitha që i përkasin anëve të ndryshme të koalicionit të qendrës së djathtë, kam verifikuar ekzistencën e numrit të mjaftueshëm për zgjedhje.”- thotë ish-kryeministri në një deklaratë të shtunën, duke shtuar se “Presidenca e Republikës është zyra më e lartë e institucioneve tona, përfaqëson Unitetin e Kombit, të vendit që dua dhe në shërbim të të cilit jam vënë prej tridhjetë vjetësh, me gjithë energjinë time, aftësitë e mia”.
Megjithatë, ai deklaroi se është tërhequr pas një reflektimi “duke vendosur gjithmonë interesin kolektiv mbi çdo konsideratë personale” dhe duke bërë “një hap tjetër në rrugën e përgjegjësisë kombëtare, duke u kërkuar atyre që e kanë propozuar të heqin dorë, të heqin emrin tim për Presidencën e Republika”.
Por pse Berlusconi frenohet? Siç citon Il Fatto Quotidiano, Bersluconi thotë për të shmangur që emri i tij “të konsumojë polemika apo përçarje që nuk gjejnë asnjë justifikim, që kombi nuk mund t’i përballojë sot”. Me pak fjalë: edhe ai e dinte se kandidatura e tij ishte shumë përçarëse.