Për zëdhënësen e PD-së Ina Zhupa, vendimi i ministrisë së Arsimit për të mbyllur shkollat për shkak të të ftohtit bien në kurriz të prindërve shqiptarë.
Zhupa thotë se mbyllja e shkollave për mungesën e ngrohjes përveç se nxori në pah dështimin në krijimin e kushteve mininale si ngrohja në shkolla por ka vënë në vështirësi prindërit se kush do kujdeset për fëmijët e tyre këto 3 ditë kur ata janë në punë.
Sipas saj marrja e një vendimi të tillë duhet shoqëruar me një tjetër vendimi nga qeveria që njëri nga prindërit të ketë mundësi të qëndrojë në shtëpi dhe të mos përballet me penalitete financiare nga punëdhënësi.
“Vendimet gjysmake të Ministres së Arsimit bien në kurriz të prindërve shqiptarë!
Mbyllja e shkollave për mungesën e ngrohjes përveç se nxori në pah dështimin në krijimin e kushteve mininale si ngrohja në shkolla por ka vënë në vështirësi prindërit.
Kur të dy prindërit janë në punë, lënia në shtëpi e fëmijëve pa shkuar në shkollë, i vë ata në vështirësi se kush do kujdeset për ta 3 ditë.
Vendime të tilla kur merren në raste të jashtëzakonshme duhet të shoqërohen me përgjegjshmërinë e vendimeve shoqëruese. Siç është nxjerrja e një vendimi nga qeveria që njëri nga prindërit të ketë mundësi të qëndrojë në shtëpi për këtë arsye dhe mos përballet me penalitete financiare nga punëdhënësi!
Ministria e arsimit duhet të reagojë menjëherë dhe t’i kthehet përgjegjësive që i takojnë kur merr vendime të tilla.”- shkruan Zhupa.
Shkollat do të mbyllen javën e ardhshme, nga dita e hënë deri të mërkurën, dhe orët e humbura do të zëvendësohen në një moment të dytë.