Kreu i Kadastrës Artan Lame në një takim me banorët e Selitës, ka paralajmëruar se qeveria do të marrë masa që të mos lejojë më ndërtuesit të bëjnë kate shtesë pa leje.
Lame ndodhej në këtë takim për përfundimin e procesit të legalizimit të një pallati. Gjatë fjalës së tij ai u shpreh se Drejtoria e Përgjithshme e Kadastrës ka bërë gati një raport për ndërtimet e shtesave jashtë lejes së ndërtimit, që do i paraqitet Qeverisë.
“Drejtoria e Përgjithshme e Kadastrës po përgatit një raport që do i dërgohet Qeverisë, për të marrë masa për të bllokuar çdo lloj ëndrre për shtesa mbi pallate për lejet e dhëna vitet e fundit.
Që do të thotë: Do të bëhet e pamundur që ndërtuesi të mbarojë pallatin, të shtojë edhe nja 2 a 3 kate mbi lejen e marrë, pastaj të hyjnë banorët brenda nëpër banesa, ndërsa investitori të largohet duke ja lënë barrën e legalizimit Shtetit dhe Kadastrës. Do ndërhyhet shumë shpejt për ta frenuar këtë fenomen që është shumë i shëmtuar.”- tha Lame.
Në zonën e Selitës sipas Lames, gati 80% e pallateve në këtë zonë janë hipotekuar duke ju nënshtruar procesit të legalizimit.