Vendosni fjalën kyçe....

Protesta të mëdha kundër kufizimeve Covid në Bruksel, sulmohet selia e shërbimit diplomatik të BE-së (Videot)


Skena kaotike u shpalosën në rrugët e kryeqytetit belg, Bruksel, të dielën, ndërsa mijëra protestues iu bashkuan një marshimi masiv kundër pasaportave të vaksinimit Covid-19 dhe kufizimeve të tjera të vendosura nga qeveritë evropiane në emër të luftimit të pandemisë.

Videot e kapura nga gazetari i RT France, Charles Baudry, treguan oficerë policie me helmeta të bardha dhe të armatosur rëndë duke bllokuar rrugët me barrikada dhe duke vendosur makina ujëhedhëse për të shpërndarë turmat.

Gjatë gjithë kohës, protestues të maskuar me të zeza po godisnin policinë me predha të ndryshme, duke përfshirë dërrasat që me sa duket i kishin marrë nga prishja e tarracës së një kafeneje.

 

Protestuesit u dëgjuan duke zhurmuar dhe brohoritur teksa hodhën karrige plastike drejt policisë, e cila u përpoq t’i shpërndante me gaz lotsjellës. Oficerët e armatosur me mburoja dhe shkopinj lëviznin në formacion të ngushtë për të larguar turmat nga një park i qytetit.

Në një incident veçanërisht të dhunshëm, demonstruesit u panë duke sulmuar hyrjen e selisë së Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm.

Ata u përpoqën të thyenin derën, duke lënë shenja të dukshme në xhamin e përforcuar të saj, më pas përdorën dërrasa si shtiza të improvizuara ndërsa një grup oficerësh policie mbetën brenda dhe tentuan t’i largonin me gaz lotsjellës.

Protesta masive pasoi demonstratat kundër bllokimit në qytete të tjera evropiane të shtunën. U tha se organizohej nga më shumë se 600 shoqata lokale nga e gjithë Evropa, si dhe nga disa degë kombëtare të World Wide Demonstration dhe Europeans United.

 

Organizatorët pretenduan se nuk ishin kundër masave të Covid-19, por po mbronin lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, ndërsa protestuan kundër ‘mënyrës jodemokratike’ që qeveritë në Evropë zgjodhën të vendosnin kufizime.

Sipas AFP, marshimi kundër bllokimit të së dielës në Bruksel ishte më i madh se kurrë më parë. Flamujt holandezë, polakë dhe rumunë u panë mes turmës që mbushën rrugët e kryeqytetit belg, ku ndodhen gjithashtu organet qeverisëse të BE-së.

Shefi i politikës së jashtme, Borrell, ka postuar një foto të xhamave të krisur të godinës së BE-së që u sulmua nga protestuesit duke shkruar se e dënon ashpër dhunën ndaj institucioneve.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani