Vendosni fjalën kyçe....

Inspektimi i Financave: Endri Puka dhe Damian Gjiknuri falsifikuan bilancet e Albpetrolit


Një inspektim i Ministrisë së Financave ka zbuluar se kompania Albpetrol, ish-drejtori i kompanisë Endri Puka dhe ish-ministri i Energjisë Damian Gjiknuri janë përgjegjës për humbjen e 12 milionë eurove në Arbitrazh me kompaninë GBC Oil.

Historia që ka të bëjë me inspektimin në fjalë nis me tjetërsimin e paligjshëm të vendburimeve të naftës dhe mbërrin deri te mashtrimi publik dhe fshehja e një vendimi të arbitrazhit ndërkombëtar që ka dënuar shtetin shqiptar në shumën 12 milionë euro.

Akti i tretë i inspektimit, i siguruar nga Hashtag.al, zbulon se kompania Albpetrol ka kryer akte fiktive dhe kontabilizimi për marrjen në dorëzim të aseteve të GBC OIL. Kontabilizimi ka ekzistuar i deklaruar si shifër, por nuk është shoqëruar me fatura dhe depozitimet përkatëse.

Bëhet fjalë për një vendim të firmosur nga Endri Puka në vitin 2017, sipas të cilit tre vendburimet e naftës që ishin nën koncesionin e kompanisë amerikane GBC Oil do shtetëzoheshin, gjë që çoi në përzënien e kompanisë koncesionare.

Akti i tretë i inspektimit dyshohet si i falsifikuar, ndërsa kontabilizimi i rremë është regjistruar edhe në bilancin e kompanisë Albpetrol, ku është bërë shtim kapitali.

Pikërisht në këtë moment implikohet dhe ish-ministri i Energjisë Gjiknuri, pasi shtimi i kapitalit të kompanive tregtare publike bëhet vetëm me firmën dhe lejen e ministrit të linjës.

Sipas raportit kompania Albpetrol nuk ka asistuar në asnjë moment me dokumentacion Avokaturën e Shtetit për këtë çështje dhe sipas raportit kjo ka bërë që Shqipëria të humbë gjyqin me GBC Oil në Arbitrazh. /Hashtag.al

*Raportin e plotë e lexoni këtu: Inspektimi Financiar