Vendosni fjalën kyçe....

Telashet nuk kanë të sosur për bujqit, serat e sapombjella po dëmtohen nga ngricat


Ngricat e ditëve të fundit që kanë përfshire të gjithë vendin po dëmtojnë serat e sapombjella në të gjithë vendin për sezonin e pranverës.

Mes vështirësive që ka sjellë rritja e çmimeve të lëndëve të para, sidomos plehrave dhe pesticideve, si dhe përmbytjeve të nëntorit të vitit të kaluar, tani mbjelljet në sera rrezikohen të dëmtohen rëndë nga ngricat e ditëve të fundit. Dëmet më të mëdha po i pësojnë serat në zonat rurale të Beratit për shkak të temperaturave më të ulëta në raport me mesataren kombëtare.

“Të hënën në mëngjes, shkula shumë rrënjë në sera, të cilat ishin dëmtuar nga ngricat, por nëse vijojnë edhe për tre ditë, sipas parashikimeve, atëherë dëmi do të jetë i  madh.”- tha Gentian Ziu nga zona e Kutallisë në Berat, i cili kultivon rreth 1 hektar serë.

Ai tha se sera nuk mund të mbrohet për temperatura më të ulëta se -1, teksa shumë fermerë po përpiqen t’i mbrojnë bimët me mjete rrethanore, të tilla si kartopeceta (shiko foton bashkëngjitur).

Ndryshimet klimatike i kanë shtuar rreziqet në bujqësi duke rritur intensitetin e thatësirave, përmbytjeve dhe ngricave. Ngjarjet ekstreme të motit janë shtuar e gjithashtu dëmet në bujqësi.

Përmbytjet e nëntorit të vitit të kaluar i shkatërruan disa sera në qarkun e Beratit, ndërsa tani temperaturat e ulëta duket se do të shkatërrojnë atë çka u mbijetoi përmbytjeve.

Klima në bizneset bujqësore është përkeqësuar vitin e fundit pas sinjaleve për përmirësim që u dhanë në vitin 2020 prej investimeve në zinxhirët e furnizimit.

Heqja e stimujve fiskalë për bujqësinë me paketën e vitit 2022, rritja me mbi 100% e çmimeve të inputeve bujqësore dhe kërkesa e ulët nga eksporti i kanë zhytur fermerët në borxhe. Shumë prej tyre kanë hequr dorë nga mbjelljet e sezonit për shkak të vështirësive financiare nga humbjet që u krijuan gjatë sezonit të dytë të mbjelljeve.

Si pasojë e kësaj problematike, eksportet e zarzavateve arritën gjatë vitit të kaluar 8,830 milionë lekë, me rënie me 0.4% në raport me vitin 2020. Zarzavatet janë produkti më i eksportuar nga grupi i ushqimeve me një rritje të shpejtë vitet e fundit si rrjedhojë e investimeve në sera dhe shtimit të sipërfaqes se mbjellë.

Nga viti 2010 në vitin 2021 eksportet e zarzavateve u shumëfishuan, duke arritur një vlerë prej 8,8 miliardë lekësh nga 464 milionë lekë më 2010.

Rritja e të ardhurave nga eksporti rriti potencialet e bujqësisë në zonat më prodhuese të vendit, Fier dhe Berat. Eksportet ndikuan në rritjen e bizneseve në ferma, u bënë shkak për investime në teknologji, modernizim dhe ekspertizë. Mirëpo vështirësitë e dy viteve të fundit i çuan në rënie eksportet dhe të ardhurat për fermerët.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al