Vendosni fjalën kyçe....

Tritoli në banesën e Dukës, autori i dyshuar u zbulua nga kamerat e sigurisë teksa largohej


Arlen Hasanaj është personi i arrestuar nga policia mbrëmjen e djeshme për vënien e eksplozivit në derën e banesës së kreut të FSHF-së, Armando Duka.

Ai është shoqëruar në polici e po merret në pyetje ndërsa deri tani nuk ka ende ndonjë të dhënë mbi shkaqet e ngjarjes.

I riu është identifikuar pas këqyrjes së kamerave të sigurisë gjatë lëvizjes së tij në Bulevardin e Durrësit. Hasanaj është afruar në banesën e Dukës me një mjet ‘Mercedes-Benz ML’ dhe pasi ka vendosur tritolin është larguar.

Ditët e fundit kreu i FSHF-së është përfshirë në një përplasje me deklarata me kryebashkiakun e Tiranës Veliaj.

Ky i fundit është shfaqur në një audiopërgjim duke përdorur një fjalor banal e duke kërcënuar anëtarët e Shoqatës së Futbollit Tirana lidhur me zgjedhjet aty.

Po kështu ai ka paditur sekretarin e FSHF-së Ilir Shulku e atë të Shoqatës Tirana Ardian Haçi për zgjedhjet që u zhvilluan në shoqatë ditë më parë.

Ai ka kërkuar hetim kombëtar e ndërkombëtar ndaj kreut të FSHF-së Duka të cilin e akuzon për vjedhje fondesh e shpërdorim detyre.

Pak ditë më parë Krimi Ekonomik ka kallëzuar në Prokurori Dukën e FSHF-në ndërsa Tatimet kanë shkuar për verifikim në biznesët e kreut të FSHF-së, Duka. Ky i fundit i është përgjigjur Veliajt duke e akuzuar për veprimet e kërcënimet e tij.