Një i ri nga Wisconsin është shpallur fajtor për të gjitha akuzat nga një juri dhe përballet një dënim të përjetshëm.
Vendimi kundër 23-vjeçarit Chandler Halderson u dha të enjten në Gjykatën e Qarkut Dane në Madison, Wisconsin. Ai u dënua për vrasje me dashje të shkallës së parë, gjymtim të kufomave, fshehje të kufomave dhe raportim të rremë në polici.
Halderson u akuzua për vrasjen dhe copëtimin e prindërve të tij, Bart dhe Krista Halderson, 50 dhe 53, vitin e kaluar. Ai i kishte raportuar ata të zhdukur më 7 korrik, duke thënë se ata nuk ishin kthyer në shtëpi nga një udhëtim në fundjavë në kabinën e tyre të pushimeve.
Prokurorët thanë se dhuna filloi pasi Haldersonët zbuluan se djali i tyre kishte gënjyer për aspekte të ndryshme të jetës së tij, duke përfshirë pretendimet e rreme se ai ishte duke ndjekur kolegj, duke punuar në një kompani sigurimesh dhe duke shqyrtuar një ofertë fitimprurëse për t’u bashkuar me SpaceX të Elon Musk.
Ai dyshohet se u përpoq t’i bënte arritjet e tij të pretenduara të dukeshin të vërteta duke krijuar emaile të rreme, duke përfshirë korrespondencën me kolegjin që pretendonte se ndiqte dhe firmën e sigurimeve ku pretendonte se punonte. Megjithatë, babai i tij u bë dyshues sepse Chandler-it i mungonin vazhdimisht paratë.
Bart Halderson më pas u shtir si djali i tij gjatë një telefonate me kolegjin, i cili verifikoi që Chandler nuk ishte i regjistruar. Pasi ai i tha djalit të tij se kishte organizuar një takim për ta me zyrtarët e kolegjit, Chandler Halderson e qëlloi pas shpine, thanë prokurorët. Disa orë më vonë ka qëlluar edhe nënën e tij.
Sipas prokurorëve, Chandler dyshohet se i copëtoi dhe dogji trupat, më pas i varrosi në vende të veçanta gjatë ditëve në vijim. Një ditë pasi Chandler i tha policisë se prindërit e tij ishin zhdukur, hetuesit gjetën trupin e Bart Halderson në një pronë rurale. Ato të nënës Krista u gjetën rreth një javë më vonë.
Në argumentet përmbyllëse, avokatja mbrojtëse Crystal Vera pranoi se Chandler Halderson ‘kishte thënë shumë gënjeshtra’, por ajo tha se kapja nuk vërtetonte se vrasjet ishin kryer nga ai.