Vendosni fjalën kyçe....

Vendimi për zgjedhjet e 30 qershorit, Meta i kërkon KPA-së hetim disiplinor ndaj anëtares së Gjykatës Kushtetuese


Presidenti Meta i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit procedimin disiplinor të anëtares së Gjykatës Kushtetuese Fiona Papajorgji dhe/ose anëtarëve të tjerë të Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendimin për zgjedhjet e 30 qershorit.

Në një shtjellim të gjatë të argumenteve që jep për të mbështetur kërkesën e tij, kreu i shtetit thekson se gjyqtarja në fjalë apo edhe ndonjë anëtar tjetër i Gjykatës Kushtetuese ka kryer shkelje të rënda etike e profesionale që sipas tij cenojnë figurën e gjyqtarit kushtetues.

Në kërkesën e Metës bëhet fjalë për vendimin e marrë nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjet e 30 qershorit 2019, ku Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesës së Shoqatës së Bashkive për shpalljen e tyre si antikushtetuese.

Po kështu në kërkesën e Metës thuhet se çështja në fjalë kërkon hetim disiplinor të thelluar lidhur me vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, gjë që sipas kreut të shtetut cenon parimin e transparencës së këtij institucioni.

“Referuar dokumentacionit të dosjes gjyqësore, është krejtësisht e paqartë se si ka ndodhur kjo, dhe ky fakt në vetvete, që cenon dukshëm parimin e transparencës së Gjykatës Kushtetuese, kërkon hetim disiplinor të thelluar nga organi procedues për të arritur në një nivel objektiv përfundimesh se cila ka qenë përfshirja e relatores apo e anëtarëve të tjerë të Gjykatës Kushtetuese në këtë shkelje të procedurës së marrjes së një vendimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Nga hetimi disiplinor që do të kryejë Kolegji i Posaçëm i Apelimit, që do të duhet të përfshijë dhe dhënien e shpjegimeve prej trupës gjyqësore kushtetuese, mund të rezultojë që edhe anëtarë të tjerë të trupës aktuale të Gjykatës Kushtetuese, të jenë të përfshirë në këtë shkelje të rëndë të ligjit dhe të etikës, që diskretiton figurën e gjyqtarit kushtetues, por këtë do të duhet ta zbardhë hetimi disiplinor.” – thuhet në kërkesën e Metës drejtuar KPA-së.

Më tej presidenca bën me dije se nga provat e deritanishme dyshimet e bazuara bien ndaj relatores së çështjes gjyqtares Fiona Papajorgji.

“Gjithsesi dyshimi i bazuar dhe i mbështetur në provat që kemi në dispozicion bie fillimisht tek Relatori i çështjes, gjyqtarja Fiona Papajorgji, e cila ka për detyrë të kujdeset për dosjen dhe relatimin dhe veprimet e plota mbi të, por referuar faktit të caktimit si relatore pa short; qëndrimeve të saj individuale të mbajtura prej saj fillimisht në kolegj, apo më pas në mbledhjen e gjyqtarëve, për të mos kaluar për shqyrtim çështjen më të rëndësishme të vendit, krijojnë të gjithë dyshimin e arsyeshëm mbi njëanshmërinë e saj, në favor të organit të emërtesës që e ka zgjedhur atë në këtë detyrë (Kuvendit të Shqipërisë) dhe Këshilli i Ministrave, mazhorancën e të cilave e mbizotëron subjekti politik Partia Socialiste, e cila përmes përfaqësuesve të saj në KQZ dhe përmes një rezolute të Kuvendit, realizuan pa garë, pa dekret të Presidentit, dhe pa alternativa, zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, duke bërë të mundur kapjen totale përmes emërimeve politike të gjithë pushtetit vendor, si të gjithë Kryetarëve të Bashkive ashtu dhe të gjithë anëtarëve të Këshillave Bashkiakë?” – vijon dokumenti.

Në kërkesën e kreut të shtetit drejtuar KPA-së, ngrihen disa pyetje lidhur mbi sjelljen e gjyqtares Papajorgji dhe anëtarëve të tjerë të gjykatës lidhur me kërkesën e Shoqatës së Bashkive për zgjedhjet e 30 qershorit.

“Një pyetje tjetër shumë e rëndësishme që Kolegji i Posaçëm i Apelimit, duhet ta zbardhë përmes një hetimi disiplinor të thelluar dhe që duhet t’i marrë shpjegimë zonjës Fiona Papajorgji dhe gjithë trupës gjyqësore kushtetuese është:

– A ka marrë pjesë dhe a ka votuar zonja Fiona Papajorgji apo ndonjë anëtar tjetër i trupës gjyqësore në procesin e votimeve të 30 qershorit 2019?

– Nëse po, gjyqtarët që kanë marrë pjesë dhe kanë votuar në 30 qershor 2019, a kanë qenë në një situatë të papajtueshmërisë së ushtrimit të funksionit që sipas nenit 36 pika 1/b, ç, i detyronte ata që të hiqnin dorë nga shqyrtimi i kësaj çështje?

Nëse një gjyqtar Kushtetues, ka shkuar dhe ka votuar në votimet e 30 qershorit 2019, si mund të ishte ai një gjyqtar objektiv, i paanshëm për të shqyrtuar atikushtetutshmërinë e këtij procesi votimesh?!” – thuhet më tej.

Sipas argumenteve të presidentit Meta, në vendimin për zgjedhjer e 30 qershorit janë kryer disa shkelje nga ana e gjyqtares Fiona Papajorgji dhe anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Referuar dispozitave të mësipërme, porse dhe fakteve të pamohueshme që evidentohen lehtësisht nga praktika bashkëlidhur, siç është vënë në dispozicion nga ana e Gjykatës Kushtetuese, lind një dyshimin më se i bazuar se në shqyrtimin e kërkesës së Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, finalizuar me Vendimin nr. 36, datë 04.11.2021 të Gjykatës Kushtetuese,

1) Janë shmangur/shkelur në mënyrë të pakontestueshme rregullat procedurale të parashikuara nga ligji, për caktimin me short të relatorit të çështjes, duke krijuar dyshime të forta se fati i kësaj dosje ishte paracaktuar në favor të organit të emërtesës dhe mazhorancës përfaqësuese që ka zgjedhur/emëruar gjyqtarin kushtetues relator (F.P);

2) Relatori i çështjes, përmes mos pasqyrimit të procesit vendimmarrës, si për administrimin e çështjes pa short, ashtu dhe për ndërtimin e pyetjeve drejtuar Komisionit të Venecias, ka konsumuar shkelje të rënda profesionale, por dhe etike, që kanë favorizuar disa palë në gjykim, dhe që kanë cenuar të drejtat e disa palëve të tjera, veprime këto që kanë diskredituar pozitën dhe figurën e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese.

3) Këto veprime të relatorit të çështjes, krijojnë idenë se janë kryer jo vetëm për përfitime të padrejta (në rastin konkret në formën e një kthimi të “shpërblimit” për organin e emërtesës që e ka zgjedhur), por edhe i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm palëve pjesëmarrëse në gjykim, të cilëve u është mohuar e drejta për të marrë përgjigje për pyetjet e ngritura për Komisionin e Venecias, me impakt direkt edhe në mënyrën se si Gjykata Kushtetuese do të orientonte më pas zgjidhjen e çështjes të paraqitur para saj për shqyrtim. Mosdërgimi i pyetjeve të palëve në Komisionin e Venecias, veç të tjerash bie në kundërshtim me vendimin e ndërmjetëm të Gjykatës Kushtetuese të datës 23.6.2021.

4) Këto veprime të relatorit të çështjes, krijojnë dyshimin e arsyeshëm se janë kryer në kushtet e papajtueshmërisë së tij, dhe duke paraqitur faktet në mënyrë të shtrembëruar në në shkresën e nxjerrë drejtuar Komisionit të Venecias.

“Çështja e zgjedhjeve për pushtetin vendor të 30 qershorit 2019, ishte një nga çështjet më të rëndësishme të karakterit kushtetues dhe me interes të lartë publik, për shkak se ajo lidhet drejtpërdrejtë me përmbushjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë për një qeverisje vendore transparente, të pavarur e njëkohësisht objektive. Ndërkohë që qytetarëve shqiptarë ju mohua e drejta për t`u shqyrtuar themeli i kësaj çështjeje, duke bërë që Gjykata Kushtetuese të mos përmbushte misionin e saj sublim, por me vendimin e marrë la pa asnjë zgjidhje situatën, përkundër kërkesave të interesit më të lartë të vendit.

Për sa më sipër, referuar dispozitës tranzitore mbi organin që ka kompetencën e hetimit disiplinor të Gjykatës Kushtetuese, si President i Republikës së Shqipërisë dhe përfaqësues i unitetit të popullit, kur konstatoj se në këtë proces janë shkelur jo vetëm të drejtat e kërkuesit, apo palëve të tjera të interesuara, por dhe për nga rëndësia kushtetuese e institucioneve të përfshira në këtë proces dhe atë që ata përfaqësojnë, rezulton se janë shkelur të drejtat themelore të qytetarëve të vendit, nga mënyra e veprimit jo profesionale e një apo disa gjyqtari/rëve kushtetues, dhe për të cilat si President i Republikës kam detyrimin t`i vë në dispozicion Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, faktet e mësipërme dhe kopjen e dokumentacionit që administroj dhe që më është përcjellë nga Gjykata Kushtetuese për këtë çështje, me kërkesën që të niset menjëherë hetimi dhe procedimi disiplinor ndaj Relatorit të çështjes, znj. Fiona Papajorgji, apo dhe për anëtarë të tjerë të kësaj gjykate që do të rezultojnë të përfshirë në këtë veprimtari të kundraligjshme nga hetimi dhe procedimi disiplinor që ju do të kryeni.” – mbyllet dokumenti.

*Kërkesën e plotë të Presidentit Meta e lexoni Këtu