Një person është gjetur sot në gjendje hipotermie në oborrin e një xhamie në Librazhd.
Sipas televizionit “News 24” bëhet fjalë për një shtetas maroken të moshës 22- vjeçare.
I riu u gjet i ngrirë mesditën e sotme por me shenja jete në oborrin e xhamisë së Dragostunjës në Librazhd.
Ai u pa aty nga Hoxha i fshatit Dragostunjë, Fatmir Xhoxha. Ky i fundit ka njoftuar Urgjencën Kombëtare dhe Komisariatin e Policisë të rrethit të Librazhdit. Nga verifikimi paraprak i dokumenteve të identifikimit rezultonte që personi i gjetur në gjendje të rëndë pranë xhamisë, të ishte Selim Muhamed Idriz, 22 vjeç nga Maroku.
Ai është transportuar për në spitalin bashkiak të Librazhdit ku i është dhënë ndihma paraprake mjekësore. Sipas “News 24”, pas dy orësh 22-vjeçari maroken është përmendur dhe ka arritur të komunikojë me stafin mjekësor dhe policinë të cilëve iu ka deklaruar se kishte udhëtuar katër ditë maleve nëpër dëborë nga Maqedonia drejt Shqipërisë.
Por për fat të keq, gjendja e tij shëndetësore është vlerësuar kritike nga mjekët pasi këmbët e tij rezultuan me djegie të plotë nga i ftohti i acartë. I riu nga Maroku është transportuar për në Repartin e djegieve në Tiranë.