Dega e PD-së në Durrës ka denoncuar këtë të enjte ndarjen e fondeve të rindërtimit që sipas saj bëhet për të vjedhur vota në zgjedhjet e ardhshme.
Kjo deklaratë vjen pasi bashkia e Durrësit ka nxjerrë një listën e 13-të të familjeve përfituese të granteve të rikonstruksionit të banesave të dëmtuara nga tërmeti.
Lista e fundit ishte miratuar më 20 prill, vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit të vitit të kaluar.
Kështu paratë që nuk u dhanë për disa muaj me radhë do akordohen pikërisht tani që pritet fushata zgjedhore lokale.
Selia blu thotë se partia-shtet ka nisur me mekanizmat e saj anti-kushtetues tjetërsimin dhe vjedhjen e votës.
“Ja pra, ujku qimen e ndërron por zakonin nuk e harron. Vazhdon batërdia zgjedhore që në prag të shpalljes së datës së zgjedhjeve të pjesshme lokale. Pavarësisht rrethanave, situatave dhe raportit të OSBE/ODIHR për masakrën zgjedhore të 25 Prillit, partia-shtet sapo nisi me mekanizmat e saj antikushtetuese për ndikim, tjetërsim apo dhe vjedhjen e votës së qytetarëve durrsake.
Pse pikërisht tani lëvrohen fonde për rindërtimin, ku ka familje që prej më shumë se 2 vitesh nuk marrin asgjë e janë në diell të hapur?!
Pse bonusi i qerasë, me 3 muaj prapambetje, nis të shpërndahet pikërisht tani në prag të zgjedhjeve? Qytetarët durrsakë ndihen të vjedhur e të prerë në besë nga premtimet tuaja boshe por kurrsesi nuk mund t’i fyeni inteligjencën asnjërit prej tyre. Shpërblimi me qëllim vjedhjen e votës dënohet me ligj. Nuk do jetë e largët dita kur kjo të ndodhë.”- thuhet në deklaratën e PD-së, pas një shkrimi të medieve lokale të Durrësit mbi futjen e listës së 13-të të dëmshpërblimeve për tërmetin në rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit Bashkiak.