Presidenti i vendit Ilir Meta ka dalë sot në një konferencë për mediet, ku ka reaguar lidhur me sulmet kibernetike ndaj dy portaleve “Lapsi.al” dhe “Dosja.al”.
“Jam i detyruar që për shkak të censurës që vjn nga afera e inceneratorëve dhe jo vetëm, të mos reflektimit në media të qëndrimit të presidentit për një shqetësim shumë serioz të komunitetit të gazetarëve ndërkombëtarë, prandaj jam i detyruar ta lexoj këtë qëndrim këtu dhe do të jem i detyruar në të ardhmen që t’u bëj thirrje qytetarëve të më ndjekin sa më shumë në Facebook e në rrjete sociale, pasi nuk është më e panjohur se censura po mbizotëron kudo dhe kjo është në dëm të interesit të qytetarëve dhe publikut ne do ta thyejmë censurën me të gjitha mjetet dhe mënyrat.
Solidarizohem me shqetësimin serioz të komunitetit të gazetarëve të pavarur, vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe dënoj me ashpërsi sulmet kibernetike dhe presionet e gjithëanshme ndaj disa mediave online kritike me Qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës.
Ky model i neveritshëm i dhunimit të lirisë së shprehjes dhe pavarësisë së medias, që synon vendosjen e tyre nën kontroll nëpërmjet presionit, dhunës e shantazhit, në shkelje flagrante të Kushtetutës, ligjeve dhe Konventave ku aderon vendi ynë, meriton nga drejtësia një përgjigje të qartë dhe të menjëhershme ligjore.”– tha Meta.
Presidenti u tha gazetarëve se do e kenë në krah ndërsa u bëri thirrje edhe organizatave ndërkombëtare të gazetarëve që të mbështesin kolegët e tyre shqiptarë.
“Duke sjellë në vëmendje regresin vit pas viti të Shqipërisë në raport me lirinë e medias, pa garantimin e së cilës nuk ka demokraci dhe nuk mund të ketë çelje të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, i ftoj organizatat më prestigjoze botërore e europiane të gazetarëve të mbështesin kolegët e pavarur dhe kurajozë shqiptarë, të cilët si gjithmonë do të më kenë në krah në përpjekjet e përbashkëta për demokratizimin dhe europianizimin e plotë të vendit.
Dhunimi në rritje i lirisë së mediave ka ndihmuar në rritjen dramatike të korrupsionit dhe kapjes së shtetit.
Të gjithë të bashkohemi për lirinë e medias dhe të refuzojmë orkestruesit e dhunës dhe censurës!”- vijoi presidenti.
Kujtojmë se pak ditë më parë, dy portalet “Lapsi.al” dhe “Dosja.al” raportuan se janë përballur me një sulm kibernetik.
E gjithë kjo ka ndodhur pas një sërë shkrimesh lidhur me përplasjen e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, me kreun e FSHF-së Armand Duka. Dy portalet bënë përgjegjëse për këtë sulm kibernetik pikërisht kryebashkiakun e Tiranës./Hashtag.al