Kreu i PD-së Basha ka pohuar mbrëmjen e sotme se kryeministri Rama nuk e fsheh më admirimin që ka për Sali Berishën.
Sipas tij, trekëndëshi i Bermudës shpjegon gjithçka mbi politikën në vend, si pjesë e kulturës së vjetër politike.
I ftuar në rubrikën ‘Kjo Javë’ në News24, kryedemokrati tha se Rama, Berisha e Meta përdorin të njëjtën mënyrë të të bërit politikë.
“U bë kohë që Rama nuk e fsheh dot admirimin për Sali Berishën, publikisht. Trekëndëshi i Bermudës, bashkohet nga kultura e vjetër politike, që sapo ua përshkrova më sipër. Nga kulti i individit, nga linçimi, nga shpifja, nga shpikja prej asgjëje, nga politika si sport, si lojë, por dhe si mjet, për pushtet dhe pasurim personal, dhe s’ka të bëjë me kulturën politike që unë përfaqësoj. Dhe që sot rrezaton kudo, në një PD të çliruar nga një mal që kemi patur mbi shpatulla, dhe po rrezaton gjithmonë e më shumë në shoqëri. Çfarëdo akuzash të hidhen ndaj meje, dhe ata përsërisin të njëjtat akuza, po ti shikoni, edhe me të njëjtat fjalë, për çfarë akuzon Edi Rama, për çfarë akuzon Sali Berisha dhe Ilir Meta, janë të njëjtat akuza me të njëjtat shprehje. A thua se mblidhen në odë natën vonë, vendosin, dhe pastaj dalin të nesërmen dhe sulmojnë kryetarin e PD-së.” – tha Basha.
Ky i fundit shtoi se PD-ja është e gatshme të përballet me çdo situatë që mund të krijohet duke iu referuar protestës së 8 janarit në selinë blu.
Ai tha se ndërkohë që opozita e qytetarët duhet të flisnin për korrupsionin, pandëshkueshmërinë e të tjera probleme që shqetësojnë vendin, duhet të merren me sulmet e Berishës.
“Çdo moment që ne konsumojmë me sulmet e Sali Berishës, kundër PD-së është një moment i humbur për qytetarët dhe për interesin publik. Kur duhet të flisnim për korrupsionin e qeverisë, duhet të flisnim për pandëshkueshmërinë, duhet të flisnim për korrupsionin e inceneratorëve, duhet të flisnim për rrugët e florinjta, që po shkojne 5-fish, 6-fish i çmimit, krahasuar me të njëjtat projekte në vendet e tjera të rajonit, duhet të flisnim për varfërinë dhe rrugët për të nxjerrë nga varfëria shumicën e shqipëtarëve, të cilët po zhyten përditë e më shumë në mjerim ekonomik. Pra, e shikoni pra, se si në pesë muaj, investimi më i mirë i Edi Ramës, për të mbuluar dështimet dhe korrupsionin e tij, është Sali Berisha, foltorja, dhe përpjekja e tij për të penguar aksionin opozitar dhe PD-në. Të tre bashkë, janë më të vegjël, më të paktë, janë pakica absolute në këtë vend. Ndërsa ne, që në pamje të parë mund të dukemi të vetëm përpara tre faktorëve politik, jemi shumica, sepse përfaqësojmë shumicën, që është e lodhur dhe iu ka ardhur në majë të hundës.” – shtoi Basha.
Më tej kreu i PD-së theksoi se ai është në kontakt të pandërprerë me demokratët ndërsa shtoi se veprimet e trekëndëshit të Bermudën nuk e kanë zbehur por e kan forcuar vendosmërinë e PD-së.
“Kontakti im me demokratët ësht i pandërprerë. Vit për vit, kontakti im me demokratët, merr dhe këtë formë, që ju e quani të turit. E rëndësishme është kjo, që pavarësisht gjithë këtyre ngjarjeve, prania, qoftë në takimet e vogla qoftë në sallat e mbushura, niveli i përfaqësimit, cilësia e përfaqësimit, numri i atyre që po kthehen, faktorëve shoqëror, që gjithmonë e më shumë e shohin veten tek Partia Demokratike dhe tek aksioni ynë politik, shtohen. Dhe kjo është një e vërtetë që mund ta tërbojë trekëndëshin e Bermudës. Sepse tregon se ata pavarësisht se kanë të gjithë instrumentat, qeveria ka gjithë instrumentat e pushtetit. Të tre bashkë përfaqësojnë shumëzuar për tre, 90 vjet investim politik, një shekull investim politik, prapë se prapë, nuk ia kanë dalë të zbehin, por e kanë forcuar vendosmërinë e PD-së për ta çuar deri në fund misionin me të cilin ka lindur, një Shqipëri normale, europiane.” – tha Basha.