Nga Kastriot Çipi
Nuk kisha shkuar në Bibliotekën Kombëtare qysh kur nisi PLANdemia. Më thanë se regjistrimi i vjetër ishte i pavlefshëm. Duhej të regjistrohesha nga e para, përmes eAlbania.
Mendova se me këtë rast ishin thjeshtuar procedurat e kërkimit në bazën e të dhënave dhe aplikimit për marrjen e botimeve për lexim.
Por isha gabuar shumë rëndë.
E para, pavarësisht aplikimit për anëtarësim në eAlbania, për të marrë kartelën e anëtarësisë duheshin sërish dy foto të shtypura.
E dyta, në sallën shkencore më prisnin po ato rafte të vjetër, me skedarë të zverdhur nga koha.
Pasi e gjeta koleksionin e gazetave që kërkoja, plotësova me dorë atë formularin e thjeshtë, që ka qenë përdorim të paktën që në vitet ’80.
Po vrisja mendjen pse ishte ngatërruar eAlbania në punët e Bibliotekës Kombëtare, ku skedarët nuk janë as online, as në ndonjë kompjuter offline aty.
Por isha gabuar sërish.
Vëllai i madh donte të dinte edhe çfarë lexojmë ne, skllevërit modernë.
Bibliotekarja më tha se formulari duhej fotografuar dhe bashkangjitur aplikimit online, sërish përmes eAlbania, kësaj here për titullin dhe autorin e kërkuar!
Nëse kjo nuk është “1984” në zbatim, më thoni ju çfarë është.
PS: Nuk habitem që jam anëtari nr. 363 i BK.