Vendosni fjalën kyçe....

Prodhuesit amerikanë të armëve ‘fërkojnë duart’ nga tensionet NATO-Rusi


Marrëdhëniet e fundit midis Moskës dhe Perëndimit, së bashku me perspektivën e afërt të një konflikti në Evropën Lindore, janë një paralajmërim i mirë për kompanitë që kanë fituar para për dërgimin e armëve jashtë shtetit, kanë pranuar dy nga eksportuesit më të mëdhenj të armëve në Amerikë.

Ndërsa Uashingtoni shpenzon shuma gjithnjë e më të mëdha parash për pajisje ushtarake për Ukrainën, ‘Raytheon’ dhe ‘Lockheed Martin’ u thanë investitorëve këtë javë se përshkallëzimi në rajon parashikon suksesin e tyre përfundimtar, në transkriptet e publikuara nga faqja e investimeve ‘The Motley Fool’.

Në një telefonatë për të ardhurat e 25 janarit, CEO i ‘Raytheon’, Greg Hayes, tha, ‘vetëm duhet të shohim javën e kaluar ku pamë sulmin me dron në Emiratet e Bashkuara Arabe. Dhe sigurisht, tensionet në Evropën Lindore, tensionet në Detin e Kinës Jugore, të gjitha këto gjëra po bëjnë presion mbi disa nga shpenzimet e mbrojtjes atje. Kështu që unë plotësisht pres që ne do të shohim disa përfitime prej kësaj’.

Të njëjtën ditë, Jim Taiclet, CEO i ‘Lockheed Martin’, këshilloi gjithashtu investitorët se gjasat e përfshirjes së mëtejshme amerikane në Evropën Lindore do të ishin të mira për biznesin.

“Nëse shikoni kërcënimin e qasjen që po marrin disa vende, duke përfshirë Korenë e Veriut, Iranin, Jemenin dhe gjetkë, dhe veçanërisht Rusinë sot dhe Kinën, ka një rinovim të konkurrencës së fuqive të mëdha që përfshin mbrojtjen kombëtare dhe kërcënimet ndaj saj.” – tha ai.

Taiclet vuri në dukje se “Historia e Shteteve të Bashkuara është se kur ato mjedise zhvillohen, ne nuk rrimë pranë dhe thjesht e shikojmë atë të ndodhë. Kështu që nuk mund të flas me një numër, por mendoj dhe jam i shqetësuar personalisht që kërcënimi po përparon dhe ne duhet të jemi në gjendje ta përballojmë atë.”

Në një telefonatë për fitimet e 26 janarit, Brian West, CEO i kontraktorit të hapësirës ajrore dhe armëve Boeing, nuk iu referua drejtpërdrejt Ukrainës dhe Rusisë, por pranoi se mbështetja e fortë dypartiake për shpenzimet ushtarake në Uashington ka siguruar që kompania të shohë ‘kërkesë të qëndrueshme’.

Sipas Projektit Kostot e Luftës nga Universiteti Broën, industria e armëve ka shpenzuar 2.5 miliardë dollarë për lobimin e qeverisë gjatë dy dekadave të fundit, duke punësuar mesatarisht më shumë se 700 lobistë në vit. Shpenzimet e Pentagonit kanë tejkaluar 14 trilionë dollarë që nga fillimi i luftës në Afganistan, dhe një e treta deri në gjysmën e këtyre parave kanë shkuar për kontraktorët ushtarakë.

Në vitet 1990, prodhuesit e armëve shpenzuan dhjetëra miliona dollarë duke lobuar për zgjerimin e NATO-s, bllokut ushtarak të udhëhequr nga SHBA, në Evropën Lindore, pasi industria u tkurr pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe përfundimit të Luftës së Ftohtë.