Presidenti Ilir Meta ka propozuar krijimin e dekoratës së lartë shtetërore “Mbretëresha Geraldinë”.
Në një postim në rrjetet sociale, Meta kërkon bashkëpunimin e Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, për krijimin e kësaj dekorate në kuadër të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Hungarisë.
Meta shkruan se kjo dekoratë do të jetë në vlerësim dhe nderim të përkushtimit të Mbretëreshës Geraldinë për Shqipërinë dhe se do t’u jepet grave që promovojnë vendin tonë.
“Në kuadër të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Hungarisë dhe 20-vjetorit të rikthimit në Atdhe të Familjes Mbretërore shqiptare kam vendosur t’i kërkoj bashkëpunimin Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Znj. Lindita Nikolla për krijimin e dekoratës së lartë shtetërore ‘Mbretëresha Geraldinë’.
Kjo dekoratë, në vlerësim, në respekt dhe në nderim të përkushtimit, angazhimit dhe dashurisë së Mbretëreshës Geraldinë për Shqipërinë, vendin që ajo nuk e harroi kurrë, do t’u jepet grave dhe vajzave të cilat jo vetëm e duan Atdheun me mendje e me zemër, por e shpalosin këtë dashuri në promovimin e Shqipërisë dhe vlerat tona historike, kulturore, përkatësinë e fortë europiane dhe trashëgiminë tonë të çmuar.
Kjo dekoratë e lartë do të vlerësojë njëkohësisht, për merita të jashtëzakonshme, për shërbime të shquara dhe sakrifica të mëdha, për përkushtim, angazhim dhe kontribute të vyera në ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi rolin e pazëvendësueshëm të gruas në familje e në shoqëri e institucione dhe fuqizimin e kontributit të saj thelbësor në procesin e europianizimit të Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit të plotë në Bashkimin Europian.”- shkruan Meta.