Po zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese seanca për shkarkimin ose jo të Presidentit të Republikës Ilir Meta.
Gjatë seancës, relatori Përparim Kalo i është drejtuar përfaqësuesve të Kuvendit dhe maxhorancës me një sërë pyetjesh për çështje procedurale.
Kalo ka kërkuar sqarim mbi një sërë çështjesh, që nga ngritja e Komisionit Hetimor parlamentar për shkarkimin e kreut të shtetit, e deri tek pretendimi i maxhorancës për përfshirjen e Metës në veprimtari zgjedhore gjatë 25 prillit.
“Pse konsiderohet veprimtari zgjedhore angazhimi i presidentit? A mund ta sqaroni bazën ligjore mbi te cilët është ngritur komisioni hetimor? A është e detyrueshme prania e presidentit ne procedurat përkatëse, ne komisionin e ligjeve, atë hetimor dhe seance plenare? A mund te shtyhej afati për të mundësuar dëgjimin e presidentit? A janë respektuar afatet dhe rregulloret për përcaktimin e seancës për shkarkimin e presidentit?”– janë disa nga pyetjet e Kalos. Bëhet fjalë për afro 70 pyetje të cilat i janë drejtuar Kuvendit.
Për këtë përfaqësuesit e Kuvendit kërkojnë 2 orë kohë për t’iu dhënë përgjigje.
Presidenti Ilir Meta nuk ka marrë pjesë në seancën e sotme gjyqësore. Ku përfaqësohet nga Këshilltari i tij Ligjor, Bledar Dervishaj dhe Drejtoresha Juridike, Katrin Treska.
Ndërkohë përfaqësuesi ligjor i Presidentit, Bledar Dervishaj kërkon më shumë kohë dhe shtyrjen për një ditë tjetër. Për këtë arsye Gjykata Kushtetuese është tërhequr për vendim, teksa seanca është vendosur të rifillojë në orën 17:30.