Vendosni fjalën kyçe....

Seanca në Kushtetuese/ Meta: Falenderoj këshilltarët e mi për punën e shkëlqyer, jo vetëm do i dorëzoj përgjigjet e 72 pyetjeve por do ua lexoj çdo shqiptari


Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar pas seancës së mbajtur sot në Gjykatën Kushtetuese për shkarkimin e tij.

Ai falenderon këshilltarët e tij për punën e bërë gjatë këtij procesi gjyqësor, ndërsa shton se brenda afatit të lënë do të kthejë përgjigje për të 72 pyetjet e Kushtetueses.

“Falenderoj Këshilltarët e mi për punën e shkëlqyer, që kanë bërë gjatë farsës gjyqësore të iniciuar nga ish-Kuvendi monist dhe antikushtetues.

Pasi u njoha me 72 pyetjet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, brenda 48 orëve jo vetëm do të dorëzojmë 72 përgjigjet, por personalisht si President i Republikës do ua lexoj të gjithë qytetarëve të Republikës përgjigjen për çdo pyetje, nga Institucioni i Kryetarit të Shtetit.

Mirë u takofshim sonte në ora 21:00 në ‘Frontline’, në NEWS 24.”– shkruan Meta.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi që të shtyjë për të hënën seancën për shqyrtimin e shkarkimit të presidentit të shtetit, Ilir Meta.

Anëtarët e Gjykatës i drejtuan 70 pyetje përfaqësuesit ligjor të presidentit, Bledar Dervishaj, i cili kërkoi 48 orë kohë për t’iu përgjigjur pyetjeve, me argumentin se duhet të informojë presidentin që nuk ishte i pranishëm, për këto pyetje.