Vendosni fjalën kyçe....

Rusia dhe SHBA-ja bashkëpunuan për vrasjen e liderit të ISIS-it


Misioni i suksesshëm i SHBA-ve për të vrarë liderin e Shtetit Islamik (IS, dikur ISIS) u koordinua me Rusinë, që u lajmërua paraprakisht për të qëndruar larg. Të paktën kështu ka raportuar CNN të enjten.

Duke cituar një zyrtar anonim të mbrojtjes amerikane, agjencia e lajmeve tha se Uashingtoni i tha Moskës se do të operonte “në një zonë të gjerë të përgjithshme të Sirisë veriperëndimore gjatë një afati kohor, dhe u tha atyre të qëndronin jashtë zonës”.

Kjo nuk është hera e parë që të dy kombet bashkëpunojnë, pavarësisht qëndrimit të Rusisë se amerikanët po veprojnë në vend ilegalisht. Operacioni rus filloi në vitin 2015, pasi presidenti sirian Bashar Assad kërkoi ndihmë ushtarake nga Kremlini.

Megjithatë Rusia duke iu referuar “ligjit ndërkombëtar”, beson se prania ushtarake amerikane është një okupim i paligjshëm, sepse trupat amerikane hynë në vend pa ftesë nga qeveria.

Operacioni i kryer nga ushtria amerikane të mërkurën mbrëma, ishte një sulm kundër terrorizmit me qëllim vrasjen së Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi, lideri i IS, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në aktivitete terroriste që nga lindja e grupt në fillim të viteve 2000.

“Ky është dikush që luan një rol të rëndësishëm operacional çdo ditë në ditë në një operacion që mbetet i fuqishëm dhe që ende po përpiqet të synojë Shtetet e Bashkuara, popullin tonë dhe aleatët tanë.”– tha zëvendës Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-ve, Jon Finer.

Sipas Uashingtonit, trupat amerikane iu afruan kompleksit ku fshihej al-Qurayshi në këmbë, si pjesë e një plani për të minimizuar viktimat civile. Në vend që të kryenin një sulm me dron kundër objektivit, ushtarët amerikanë u dhanë atyre që ishin fshehur brenda ndërtesës mundësinë që të dilnin jashtë dhe të ndaloheshin. Udhëheqësi i IS, i cili ishte fshehur në katin e tretë të ndërtesës, në vend të kësaj zgjodhi të hidhte veten në erë duke përdorur një jelek vetëvrasës, duke vrarë edhe anëtarët e familjes së tij, të cilët kishin jetuar në ndërtesë. Katër gra dhe gjashtë fëmijë ishin mes të vdekurve.

Të enjten në mëngjes, presidenti Joe Biden njoftoi se bastisja kishte qenë e suksesshme, duke deklaruar se lideri i grupit të IS ishte vrarë nga forcat ushtarake amerikane. Presidenti amerikan shtoi se “falë guximit të trupave amerikane”, operacioni “kishte hequr një kërcënim të madh terrorist”.

Bashkëpunimi i fundit midis Moskës dhe Uashingtonit vjen pasi tensionet midis dy kryeqyteteve mbeten në nivele të larta, ku të dy akuzojnë njëri-tjetrin se qëndron pas paqëndrueshmërisë në rritje në kufirin midis Rusisë dhe Ukrainës. Moska akuzohet për vendosjen e 100 mijë trupave në kufirin me Ukrainën, dhe se po planifikon një sulm. Ky pretendim është mohuar vazhdimisht nga Kremlini.