Vendosni fjalën kyçe....

Nga sot në Austri nis zbatimi i ligjit të ri për vaksinimin e detyrueshëm


Këtë të shtunë në Austri ka hyrë në fuqi ligji i ri, i cili e bën të detyrueshëm vaksinimin kundër Covid-19 për të gjithë mbi moshën 18 vjeç.

Austria është vendi i parë në Evropë që bën me detyrim vaksinimin kundër Covid-19 për të gjithë të rriturit.

Ndërsa disa vende kanë bërë të detyrueshme vaksinën për personelin mjekësor, punonjësit e kujdesit ose njerëzit mbi një moshë të caktuar, Austria është e para në BE që zgjeron masën në të gjithë popullsinë e rritur.

Megjithë hyrjen në fuqi të masave, autoritetet nuk do të fillojnë të kontrollojnë qytetarët për statusin e tyre të vaksinimit deri në mes të marsit. Gjobat variojnë nga 600 deri në 3 mijë e 600 euro për ata që refuzojnë të vaksinohen. Nga ligji i ri, do të ketë përjashtime për arsye mjekësore, si edhe gratë shtatzëna.

Ky detyrim skadon në janar të vitit 2024, por mund të përfundojë edhe më herët nëse e lejon pandemia. Kancelari konservator i Austrisë, Alexander Schallenberg, njoftoi planet për të vënë në zbatim ligjin e ri në nëntor të vitit të kaluar, pasi shifrat e Covid-19 u rritën përsëri, duke i vënë spitalet nën presion të mëtejshëm. Në kohën e njoftimit, Austria kishte një nga nivelet më të ulëta të vaksinimit në Evropën Perëndimore, me vetëm 65% të vaksinuar kundër virusit vdekjeprurës sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins. Që nga 2 shkurti, mbi 75% e austriakëve janë tashmë plotësisht të vaksinuar.

Masa ishte vonuar nga procedurat legjislative. Ligji i ri duhej të hynte në fuqi të martën, por e kaloi pengesën e fundit parlamentare vetëm të enjten dhe u nënshkrua sipas ligjit nga Van der Bellen të premten.