Kryebashkiaku Veliaj pohoi mbrëmjen e sotme se ardhja e kreut të UEFA-s Ceferin në Tiranë tregon se beteja me FSHF-në e kreun e saj për më shumë transparencë ia ka vlejtur.
Ai e bëri deklaratën në rubrikën ‘Kjo Javë’ në News24, ku shtoi se UEFA do sjellë vëzhguesit e saj në zgjedhjet e FSHF-së dhe se ato duhen shtyrë derisa ata të vijnë.
“Zgjedhjet në FSHF duhen shtyrë, derisa premtimi i Ceferin për të sjellë në Tirane një ekip të UEFAs, që adreson të gjitha falsifikimet, të mbaroje punë. Fakti që sot, për herë të parë, kemi një angazhim publik për të sjellë vëzhgues nga UEFA qe t’i shohin problematikat që kemi ngritur, do të thotë se beteja ia paska vlejtur, se po të mos kishim bërë këtë betejë, vëzhguesit nuk do të vinin. Ceferin ka dhënë vetë shembullin model. Ai e ka caktuar vetë se Presidenti i UEFA-s nuk mund te këtë me shume se 3 mandate. Për këtë arsye do të doja që modeli i tij të ndiqej edhe këtu. Fakti që këta thonë ‘unë dua herën e 6-të’, kur Ceferin ia ka vënë kufirin vetes deri në 3 herë, do të thotë se ata nuk kanë respekt për Ceferin. Ata thjesht duan ta përdorin dhe më vjen mirë që ai nuk u përdor.” – tha Veliaj.