Vendosni fjalën kyçe....

Kandidati i “Shtëpisë së Lirisë” në Durrës: Më kanë ofruar edhe të kandidoj për deputet por s’kam pranuar, dua t’i shërbej qytetit tim


Këtë të dielë ish-kryeministri Sali Berisha po prezanton në një takim me qytetarët në Sukth kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë” për bashkinë e Durrësit, Ardian Muka.

Ky i fundit tha se edhe më parë i është ofruar mundësia të marrë role të tjera në PD, si përshembull të kandidojë për deputet, por ai nuk ka preferuar sepse ka dashur t’i shërbejë vetëm qytetit të tij, Durrësit.

 “Ju falenderoj të gjithëve miqtë e mi për këtë pjesëmarrje masive që kemi këtu, në këtë festë të ‘Shtëpisë së Lirisë’, në këtë festë të shpirtit demokrat, në një festë ku ne të gjithë bashkë jemi bërë për të ndryshuar atë çfarë në 22 vite, një klikë ka zbatuar pushtetin, ka zbatuar qytetin tonë.

Sot po fillojmë një rrugëtim, një mision, një garë elektorale. Për mua kjo është garë politike sa është edhe një garë qytetarie.

Kam pothuajse dy dekada që jam aktiv në PD, por politika për mua fillon në Durrës, ka vazhduar në Durrës dhe do mbarojë në Durrës.

Durrësi është dashuria për qytetin tim. Është përgjegjësia për qytetin tim që më ka lidhur me politikën. Nuk është politika që më ka lidhur me qytetin.

Edhe pse dekada pranë një force madhore politike si PD, asnjëherë nuk kam pretenduar role dhe funksione politike jashtë Durrësit.

Me thënë të drejtën edhe pjesën e deputetit ma kanë ofruar. Juve të gjithë keni votuar që unë të isha një ndër ta.

Por në një zgjedhje timen unë kam preferuar që të isha drejtues për qytetin dhe me primaret që neve sapo kaluam, ju e shprehët me votën tuaj të lirë që qytetari që ka dalë nga ju, të ishte përfaqësuesi juaj për qytetin, kandidati për bashkinë e Durrësit.

Ju falenderoj nga zemra për këtë zgjedhje.

Ky qytet është përdorur dhe keqpërdorur. Njerëzit e mrekullueshëm të këtij qyteti nuk e kanë dashur kurrë pushtetin, e kanë shpërfillur atë.”- tha Muka para qytetarëve demokratë.

Ai shtoi: “Sot unë dua t’i shërbej qytetit tim, t’i kthej Durrësin qytetarëve të thjeshtë.”

Ndërkohë kryeministri Sali Berisha i falenderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen ndërsa shprehu vlerësimet e tij për qytetarët e Durrësit.

“Të dashur banorë të Sukthit, Manzës, Ishmit, Katundit të Ri, Rrushbullit, një përshëndetje vëllazërore të përzemërt të gjithëve këtu ju dhe të gjithë banorëve të këtyre trevave të mrekullueshme të cilët do vendosin më 6 Mars me votën e tyre, jo vetëm për qytetarin e parë të Durrësit por edhe për kahjen e vendit dhe të shoqërisë shqiptare.

Të dashur miq, theksova se do vendosin për qytetarin e parë të Durrësit, i cili ka qenë qenë dhe mbetet gjithmonë me rëndësi jetike për kombin, Shqipërinë, për të ardhmen tonë. E tillë është historia mijëravjeçare e Durrësit, i tillë është potenciali i tij i jashtëzakonshëm. Të tillë janë qytetarët e mrekullueshëm të Durrësit të cilët bëjnë gjithçka për një jetë dinjitoze e të mirë. Por në tetë vitet e fundit, një qeverisje që varfëron dhe nuk begaton vendin dhe qytetarët e tij.”- tha Berisha.