Vendosni fjalën kyçe....

E reja me nevoja të veçanta: Unë kërkova rrugë se nuk ecja dot, tani më prishin edhe shtëpinë, nëse Rama do të më mbysë le ta bëjë


Enjola Duraku ka prekur të pranishmit në protestën e mbajtur sot para godinës së Kryeministrisë, kundër shembjes së banesave në zonën “5 Maji”, Laprakë dhe Paskuqan.

E reja me nevoja të veçanta, kishte një mesazh për kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun Erion Veliaj.

Ajo tha se kishte kërkuar shumë herë shtrimin e rrugës në lagjen e saj tek “5 Maji”, në mënyrë që të mund të ecte me karrigen e saj me rrota. Ndërsa tani po i shembin edhe banesën.

“Kam kërkuar të drejtën time për rrugën mijëra e mijëra herë dhe një zgjidhje nuk më është dhënë. Tani ai nuk më jep zgjidhje për rrugën me e ndërtu… dhe tani më prish edhe shtëpinë. Ku do të më çojnë mua vëllezërit e mi? Ku të shkoj unë me karrocë? Kam dalë me mijëra herë në televizion edhe dal prap.

Nëse Edi Rama e ka ndarë mendjen të vijë dhe të më mbysë le ta bëjë, të më zërë poshtë shtëpisë. Se ndryshe unë nuk dal prej shtëpisë time, që me mund familja ime e ka bërë. Nuk është e drejtë. Se kam vuajtur me atë rrugë. Shteti nuk më ka dhënë as shkollë, asnjë gjë dhe tani edhe shtëpinë do të ma prishë me nejt rrugëve, nuk është e drejtë. Turp të keni.”– tha vajza e re.