Vendosni fjalën kyçe....

PD i përgjigjet Berishës: Kandidatët e tij janë pjesë e LSI-së, s’kanë asnjë lidhje me PD-në


Pas deklaratave të sotme të ish-kryeministrit Sali Berisha në Durrës, ka reaguar selia e Partisë Demokratike.

Në një njoftim për mediet, PD thotë se Berisha po vijon të manipulojë demokratët. Por thekson se kandidatët e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” sot përfaqësojnë LSI-në dhe jo PD-në.

“Sali Berisha vazhdon të manipulojë demokratët. Kandidatët e shtëpisë së Ilirit sot përfaqësojnë Ilir Metën dhe nuk kanë asnjë lidhje me PD.

Disa njerëz nga Shtëpia e Ilirit e kanë të vështirë të heqin dorë nga e kaluara e tyre, por çdo votë për këtë shtëpi është votë për pazarin e radhës Meta-Rama.

Shqiptarët e dinë shumë mirë që Parti Demokratike është një, dhe LSI një gjë tjetër.

Sali Berisha dhe kandidatët e tij janë tashmë pjesë e LSI-së dhe ndonëse duket që u vjen turp nga anëtarësimi në këtë parti, ata nuk i lidh me asgje me PD, sado mashtrojnë duke përdorur emrin dhe simbolet e saj.

Demokratët e dinë se si Ilir Meta ka përdorur pushtetin dhe votat e tyre për pazarin me Edi Ramën ne 2013.

Sot po bën të njëjtën gjë.

Prandaj kush zgjedh Metën dhe Berishën, mban Ramën!”– thuhet në njoftimin e PD-së.

Këtë të dielë ish-kryeministri Sali Berisha prezantoi në një takim me qytetarët në Sukth kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë” për bashkinë e Durrësit, Ardian Muka.

Pavarësisht se Berisha kishte premtuar se nuk do të sulmonte asnjë nga kandidatët e PD-së, ai e theu premtimin duke përmendur kandidatin Luan Hoti. Ai tha se Hoti i kishte dyert e hapura për të kandiduar në Primare, por ai nuk pranoi duke zgjedhur të vendoset krah Bashës. Berisha u kërkoi qytetarëve të Durrësit mos të mos votonin kandidatët e Bashës, pasi sipas tij votat e tyre do shkonin për Ramën.