Një raport i ri i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) tregoi se çmimet globale të ushqimeve u rritën muajin e kaluar, të udhëhequr nga një rritje e vajrave bimore dhe produkteve të qumështit.
Indeksi i çmimeve, me një rritje prej 1.1%, po i afrohet nivelit më të lartë të të gjitha kohërave, që deri tani ka qenë ai i vitit 2011, tregoi hulumtimi.
Pasojat nga një krizë energjetike, ulja e disponueshmërisë së eksportit dhe kufizimet e tjera, veçanërisht mungesa e fuqisë punëtore dhe moti i pafavorshëm, i kanë shtyrë çmimet të kapin nivelet më të larta, tha FAO.
Indeksi i vajrave bimore u rrit me 4.2% nga muaji në muaj në janar për të arritur nivele rekord. Kuotimet për të gjitha vajrat kryesore u rritën, të mbështetur pjesërisht nga rritja e çmimeve të naftës bruto.
Indeksi i çmimeve të qumështit gjithashtu u rrit me 2.4%, rritja e tij e pestë mujore radhazi, me fitimet më të mëdha të regjistruara nga qumështi i skremuar pluhur dhe gjalpi. Indeksi i çmimeve të drithërave u rrit vetëm 0.1%, me misrin që shënoi një rritje prej 3.8% në muaj, sipas FAO.
Çmimet e mishit u rritën në janar, ndërsa indeksi i çmimit të sheqerit u ul 3.1% nga muaji i kaluar pjesërisht për shkak të perspektivave të favorshme të prodhimit në eksportuesit kryesorë Indi dhe Tajlandë, thuhet në raport.
Ndërkohë, çmimet botërore të grurit ranë 3.1% për shkak të korrjeve të mëdha në Australi dhe Argjentinë.
Organizata e OKB-së ka rritur projeksionin e saj të prodhimit global të drithërave në 2021 në 2.793 miliardë tonë nga një vlerësim i mëparshëm prej 2.791 miliardë tonësh.
Çmimet më të larta të ushqimeve kanë kontribuar në një rritje më të gjerë të inflacionit ndërsa ekonomitë rimëkëmben nga kriza Covid-19. FAO ka paralajmëruar se kostot më të larta po rrezikojnë popullsinë më të varfër në vendet që varen nga importet.