Vendosni fjalën kyçe....

Klotilda Bushka: Edhe vetë presidenti e di që ka shkelur Kushtetutën


Përfaqësuesja e Kuvendit, Klotilda Bushka, në mbledhjen e sotme në Gjykatën Kushtetuese ka renditur argumentet se pse sipas maxhorancës, Presidenti Ilir Meta ka kryer shkelje të rënda kushtetuese.

Bushka tha se Meta u përfshi në fushatë gjatë zgjedhjeve të 25 prillit, duke mbajtur anë. Sipas saj shkeljet e kreut të shtetit janë të rënda, pasi përveçse ka ndërhyrë në fushatë, ka sulmuar ndërkombëtarët si dhe ka nxitur dhunë.

“Nga Kuvendi, është vërtetuar që presidenti ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe i kërkojmë gjykatës të kryhet shkarkimi i presidentit. Në këtë proces, kuvendi ka vepruar në bazë të kushtetutës dhe në këtë rast është në detyrë të kuvendit që të mbrojë Kushtetutën. Presidenti ka shkelur rëndë neutralitetin që duhet të mbajë si mbrojtës i unitetit.

Presidenti ka dalë nga roli i tij kushtetues si asnjëanës dhe i paanshëm. Ka shkelur rolin e tij si president duke bërë thirrje që qytetarët të votojne ndryshimin, duke luajtur rolin e partive. Presidenti ka shkelur betimin e tij, që shkelja e betimit konsiston në shkeljen e rëndë të kushtetutës.

Ka shkelur të drejtat e njeriut duke cënuar të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Këto i ka bërë gjatë paraqitjeve të tij në emisione, nëpër rrjete sociale apo deklarata. Ai ka bërë sygjerime duke u thënë qytetareve kë të votojnë, gjë qe ka ndikuar në votën e qytetarëve. Ka shkelur parimin e kushtetueshmërisë. Ka ndërhyrë në autonominë vendore kujtoj ktu ngjarjen te FRD.

Presidenti ka sulmuar delegatët ndërkombëtar, duke shkelur rolin e tij si ansnjëanës në marrëdheniet me jashtë. Presidenti ka sulmuar gjykatën, ka ndërhyrë në pavarësinë e gjykatës kushtetuese duke urdhëruar gjykatën sesi të veprojnë në çështje të ndryshme. Gjithashtu ka lavdëruar apo kritikuar gjyqtarë.

Ka shkelur rëndë detyrimin e betimit për t’i shërbyer interesit të përgjithshëm të popullit. Në shumë nga daljet e veta publike presidenti ka përdorur një retorikë dhunë. Retorika e tij ka frymëzuar dhunë dhe ndasi shoqërore dhe nuk ka ndikuar në ruajtjen e qetësisë.

Edhe vetë presidenti është i vetëdijshëm që e ka shkelur kushtetutën. Kjo, sepse asnjë nga përfaqësuesit nuk kanë sjellë prova për një akt të ngjashëm nga presidentët e tjerë si në Shqipëri ashtu edhe jashtë.

Kuvendi e provoi që ka respektuar çdo hap të procedurës për të kryer shkarkimin e presidentit. Edhe përsa i përket hapësirës së dëgjimit të presidentit, kuvendi ka zbatuar rregulloren e shtetit të së drejtës. Kjo sepse nje vendim nuk mund te marre kohe te pafundme për t’u marrë, por ka një kufi kohor.”- tha Bushka.