Vendosni fjalën kyçe....

Prokuroria e akuzoi për mosdeklarimin e 230 milionë lekëve, si i shpëtoi drejtësisë Ymer Marku i PD-së, sot kandidat për kryebashkiak të Vorës


Partia Demokratike ka zgjedhur Ymer Markun si kandidat të sajin për zgjedhjet e 6 marsit në Bashkinë e Vorës. Me dy mandate si kryetar komune i Bërxullës, Ymer Marku rikthehet përsëri në skenën politike dhe këtë herë tenton të drejtojë Vorën.

Mirëpo, Newsbomb.al ka siguruar një vendim të Gjykatës së Tiranës të 12 viteve më parë, kur Ymer Marku është paditur për mosdeklarim dhe fshehje të të ardhurave dhe prokurori i kryeqytetit Julian Xhengo ka kërkuar shpalljen e tij fajtor.

Gjykatësi Martin Deda ka mbajtur seancën më datë 01.12.2010 dhe ka administruar një sër dokumentesh nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive si dhe nga Drejtoria e Rrugëve, sipas të cilave Ymer Marku nuk kishte deklaruar saktë të dhënat e tij financiare edhe pse ishte i zgjedhur publik dhe kishte detyrim ta bënte.

Sipas raportit të ILDKP-së që u administrua dhe më pas në Gjykatën e Tiranës, të cilin neësbomb.al e disponon, kryetari i Komunës së Bërxullës që sot garon nën siglën e PD për Bashkinë e Vorës, nuk justifikonte burimin e krijimit të pasurisë së tij. Pesë objekte pasurore nuk janë deklaruar saktë nga Marku dhe që kapnin vlerën e 22.656 milionë lekëve të reja, të cilat janë si më poshtë:

  1. Bar-Restorant Domje, vlera e deklaruar nga subjekti është 5.000.000 leke të reja. Nga Raportit të Vlerësimit të datës 03.02.2010 të ekspertit vlerërues, rezulton se prona objekt shqyrtimi është vlerësuar në shumën 12.591.000 lekë të reja. Pra, është deklaruar 7.591.000 lekë të reja më pak.
  2. Autoveturë deklaruar 1.500.000 lekë të reja. Nga hetimi administrativ ka rezultuar që ky automjet është blerë në shumën 19.375 euro ose e vlerësuar me kursin e Bankës së Shqipërisë, në shumën 2.359.488 lekë. Pra, është deklaruar 859.788 lekë më pak.
  3. Depozita bankare dhe llogari rrjedhëse në Tirana Bank, në shumat në total 11.340 euro.
  4. Depozitë afatshkurtër në vitin 2006 shuma 71.700 euro, (derdhur dhe tërhequr brenda vitit).
  5. Depozitë afatshkurtër në vitin 2007, në llogarinë në lekë shuma prej 4.500.000 lekë të reja (derdhur dhe tërhequr brenda vitit).

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se pasuritë dhe interesat private të subjektit Ymer Marku, objekt i verifikimit të ILDKP, nuk mbulohen dhe as nuk justifikohen me burime të ligjshme, që në total kapin vlerën 22.656.000 lekë të reja.

Por pavarësisht këtyre shkeljeve dhe mosdeklarimit të pasurisë në disa raste, Gjykata në atë kohë nuk mori parasysh  kërkesën e prokurorit Julian Xhengo që kërkonte dënim dhe shpallje fajtor të Ymer Markut, dhe as kërkesën e ILDKP-së, për veprën penale “Deklarimit te rreme te pasurise te personave te zgjedhur dhe nenpunesve publik”

“Gjykata arrine ne perfundimin se i pandehuri Ymer Marku nuk duhet te pergjigjet penalisht per veprat penale te “Deklarimit te rreme te pasurise te personave te zgjedhur dhe nenpunesve publik” te parashikuar nga neni 257/a,prg 2 i K.Penal por duhet te deklarohet i pafajshem”, u shpreh gjyqtari i Tiranës Martin Deda më datë më datë 01.12.2010.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Newsbomb.al