Vendosni fjalën kyçe....

Xhemal Bushati me qytetarët në lagjen ku është rritur: “Jena bashkë, me dashni për Shkodrën”


Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Shkodrës, Xhemal Bushati, ka zhvilluar një takim sot me banorët në lagjen ku është rritur.

I shoqëruar nga ish-deputetja Izmira Ulqinaku, Bushati ka takuar përfaqësues të biznesit dhe qytetarë, të cilët shprehet se i kanë dhënë atij mbështetje dhe motivim.

“Në lagjen e Perashit, aty ku jam rritur. Derë më derë. Biznes në biznes. Së bashku me ish-deputeten Izmira Ulqinaku sot ndjemë zhgënjimin, por edhe përkrahjen, edhe motivimin. Çdo ndryshim ka nevojë për kurajo dhe këtë mbështetje po e gjej tek banorët e Shkodres. Por më së tepërmi, fitorja jonë ka nevojë për bashkimin e njerëzve të ndershëm, atyre që jetojnë çdo ditë me shqetësimet dhe përditshmërinë e Shkodrës. Thirrjen për këtë bashkim, e bëj sot dhe do e bëj çdo ditë deri në fund.

Një përgjigje ma dhanë sot banorët e Perashit. ‘Jena bashkë, me dashni për Shkodren, si gjithmonë’.”- shkruan Bushati ndërsa ndan disa foto nga këto takime.

Partia Demokratike zgjodhi të kandidojë Xhemal Bushatin për zgjedhjet e pjesshme vendore për Bashkinë e Shkodrës më 6 mars 2022.

Ai vjen nga një familje me emër dhe me kontribute historike, asaj të Bushatlinjve, është lindur dhe ka ndërtuar jetën e karrierën tij në qytetin e Shkodrës.

Bushati është bashkëshort dhe baba i tre fëmijëve, një djali dhe dy vajzave.